Oferta e Vetëvendosjes “djeg” Blerim Rekën dhe Haki Abazin

Albin Kurti dhe Isa Mustafa në takimin e sonte duket se i kanë përafruar qëndrimet për marrëveshjen e bashkëqeverisjes.

Burime nga takimi mes tyre kanë thënë për Gazetën Insajderi se Vetëvendosje ka ofruar ministrinë e Punëve të Jashtme për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ka hequr dorë nga zv.kryeminsitri i dytë.

Duke lënë “djegur” kështu dy të propozuarit e Albin Kurtit për këto poste: Blerim Rekën dhe Haki Abazin. Ai ditë më parë ka propozuar emrat e mundshëm të qeverisjes së tij, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe Reka e Abazi.

Përveç kësaj Vetëvendosje është bindur se presidenti duhet t’i takojë LDK-së së Isa Mustafës.

Kësisoj Albin Kurti ka menduar ta balancojë pushtetin ndërmjet dy partive.

Megjithatë, LDK po insiston që t’i marrë shtatë ministri.

Burimet kanë thënë se më i zëshmi për këtë është Agim Veliun, derisa Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani janë pajtuar për këtë ndarje të pushtetit ndërjmet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.

Gazeta Insajderi ka raportuar gjatë ditë se Vetëvendosje do të shkonte në takim me LDK-në me një propozim konkret të ndarjes së pushtetit.

Siç merr vesh Gazeta Insajderi, Vetëvendosje në ofertë ka vendosur që LDK-ja t’i ketë gjashtë ministri dhe presidentin.

Por në anën tjetër, në LDK kanë thënë në kushte anonimiteti se nuk do ta pranojnë këtë oferte. Sipas këtij burimi, LDK-ja kërkon 7 ministri dhe presidentin.