Ofensiva ruse dhe fati ballkanik e ai i shqiptarëve!

Shkruan: ENVER BYTYÇI

Rusia është në ofensivë. Pasi pushtoi Abkhazinë, Osetinë e Jugut dhe Krimenë e Ukrainës tashmë dëshiron të hyjë me forca ushtarake në këtë vend. Së paku kërcënon se do ta bëjë këtë. Serbinë e shpalli edhe zyrtarisht si zonë të ndikimit të saj. Kremlini kundërshton ashpër politikat e NATO-e e të BE-së në lindjen evropiane, sidomos në vendet tradicionale aleate të saj ose ish-sovjetike. Por një lajm që kaloi pa u vënë re ishte gjithashtu interesant. Pas tërheqjes së trupave franceze nga Mali në Afrikë, aty janë stacionuar trupat ushtarake ruse. Rreth 3000 trupa ushtarake shkuan nga Moska në Kazakistan dhe shumë më tepër se kaq janë stacionuar në Bjellorusi.

Kjo është vetëm një pjesë e panoramës së asaj çfarë përfaqëson sot Rusia në ofensivën e saj anti-NATO e anti-BE. Më shumë se kaq do të shohim në të ardhmen. Ajo që brengos është prania ruse në rajonin tonë. Në këtë rajon Moska ka hyrë gjithmonë përmes derës së Beogradit dhe Banja Lukës. Udhëheqësit serbë duan të hapin edhe një dritare tjetër për rusët e vonuar e në përpjekje për të fituar kohën e humbur. Kjo dritare do të ishte krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Serbët e Kosovës në këtë rast nuk do të kishin interes për integrime në shtet dhe institucionet e tij. Ndërsa ndihma financiare e parashikuar në projektin e nënshkruar për këtë Asociacion do të vinte kryesisht nga Moska me fotografinë e Vladimir Putin, i cili edhe sot proklamohet nga serbët si “shpëtimtar” i Serbisë?!!

Ndërkaq ne shohim se rajoni jeton një atmosferë pasigurie, teatri të dhunshëm dhe konfliktesh. Strumbullari është Rusia dhe aleati i saj Serbia. Askush nuk po shqetësohet në masën e duhur për këto lidhje, të cilat rrezikojnë seriozisht edhe popujt, kombet dhe shtetet ballkanike anëtare të NATO-s ose që tentojnë të bëhen pjesë e BE-së. Veçmas Edi Rama dhe kreu i ekzekutivit të Maqedonisë së Veriut flenë të qetë. Ata kanë marrë përsipër bashkëpunimin me Serbinë përmes Open Balkan. Por pa menduar se ky instrument i pakontrolluar nga Evropa dhe SHBA-të lehtësisht kthehet në urë lidhjeje midis Rusisë e Serbisë me ndikim dhe shtrirje të influencave dhe aktiviteteve kriminale në vendet ballkanike me vokacion dhe qëndrime anti-ruse.

Nga një anë formalisht kemi një situatë rrethimi e shtrëngimi të Serbisë për t’u shkëput nga ndikimi rus. Ajo është e rrethuar nga vende anëtare të NATO-s e të BE-së. Nga ana tjetër paradoksalisht krijohen organizma që favorizojnë prezencën e Moskës në rajonin tonë. Nuk është rastësi pse diplomacia ruse qëndron “indiferente” ndaj Ballkanit të Hapur. Nuk është për t’u neglizhuar fakti që Serbia e përmes saj Republika Srpska në BH armatosen nga Kremlini! Po ndërkohë nuk mund të nënvleftësohen flirtimet e disa vendeve të BE-së në lindje me Rusinë e Vladimir Putin. Sidomos flirtimet bullgare të viteve të fundit. Por edhe ato hungareze.

Pikërisht në kushte të tilla të disfavorshme është bërë palë me Beogradin gjithashtu kryeministri i Shqipërisë, ndërkohë që autoritetet e Kosovës e të Malit të Zi, presidenti i Maqedonisë së Veriut apo dy përfaqësuesit jo serbë në presidencën boshnjake i kundërshtojnë fort këto zhvillime në favor të Serbisë e të Rusisë. Rrethimi formal i Beogradit me kordonin e vendeve aleatë të Brukselit dhe Uashingtonit çmontohet nga bashkëpunimet dhe flirtet e disa autoriteteve dhe politikanëve ballkanikë e shqiptarë me autoritetet serbe, aleatë të deklaruar të Moskës, si dhe me vetë Moskën.

Dhe për fat të keq, nuk ka shumë shpresë se kjo situatë do të ndryshojë. Përdorimi i qeverisë shqiptare për qëllime financiare përmes trafikut të drogës është një nga pengesat kryesore të vendosjes së traut të Kalimashit përballë Rusisë dhe Serbisë. Shndërrimi i Shqipërisë në një Panama të shekullit XX, si prodhuese, poseduese dhe trafikuese e drogave të ndryshme është strategji e gabuar jo vetëm për zhvillimin e vendit, por edhe për refuzimin e influencës dhe ndikimit lindor, sidomos atij rus në rajonin tonë.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë shansin të bëhen barrikadë e këtij ndikimi. Jo thjesht se ne jemi populli me pro-amerikan dhe pro-evropian në botë. Por se interesat tona janë jetike në lidhje me Perëndimin e jo me Lindjen. Lindja shqiptarëve u ka sjellë vazhdimisht fatkeqësi! Ndërkohë që në Perëndim kanë ndikuar faktorë e aktorë të caktuar për rritjen e pasojave të kësaj fatkeqësie. Por nëse institucionet e Shqipërisë e të Kosovës dhe partitë politike e aktorët shqiptarë në Ballkan bëhen bashkë me një qëndrim të vetëm, nuk do të ketë shans që dikush të cenojë ardhmërinë tonë.

Sa kohë që Shqipëria do të qëndrojë nën pushtetin e drogës, sa kohë që në Kosovë nuk do të përfundojë procesi i konsolidimit të institucioneve në luftë me korrupsionin, sa kohë që shtetin kosovar do ta kërcënojë Asociacioni serb i Komunave, sa kohë që në Maqedoninë e Veriut politikanët do të jenë të ndarë sipas grazhdit ku hanë, sa kohë që politika shqiptare në Mal të Zi do të prodhojë Abazoviçë, që bashkëpunojnë me partitë pro-serbe e pro-ruse, aq kohë ne nuk mund të bashkohemi dhe pozicioni e kontributi ynë euro-atlantik do të jetë i brishtë. Ky pozicion euro-atlantik mund të reklamohet si butaforik, por jo substancial. Një shtet e një komb që nuk i përmbahet rregullave të sistemit demokratik të qeverisjes, nuk mund të bëhet e të jetë faktor në ndonjë hapësirë të caktuar gjeopolitike. Kjo duhet thënë edhe për ne shqiptarët në Ballkan!