OBSH u bëri thirrje shteteve të pasura të mos porosisin vaksina shtesë

Vendet e pasura nuk duhet të porosisin doza shtesë të vaksinave për popullatën e tyre të vaksinuar, përderisa vendet e tjera ende nuk kanë pranuar vaksina kundër Kovid-19, kumtoi sot Organizata botërore e shëndetësisë (OBSH).

Shefi i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus tha se numri i viktimave në pandeminë e koronavirusit sërish po rritet, varianti Delta po bëhet dominues dhe shumë vende akoma nuk kanë marrë doza të mjaftueshme të vaksinave për t’i mbrojtur punonjësit e tyre shëndetësorë.

“Varianti Delta po përhapet nëpër botë me shpejtësi frikësuese, që çon deri te rritja e re e infektimeve me Kovid-19 dhe rasteve të vdekjes”, tha Tedros, duke theksuar se është variant mjaft infektues, fillimisht i zbuluar në Indi, ndërkaq tani në mbi 104 vende.

Ai konsideron se hendeku global në furnizimin me vaksina është skajshmërisht “i pabarabartë dhe i padrejtë”.

“Disa vende dhe rajone në të vërtetë porosisin miliona doza shtesë para se vendet e tjera të sigurojnë vaksinim të punonjësve të vet shëndetësorë dhe më t[ë ndjeshmëve”, paralajmëroi Tedros.

Ai i veçoi prodhuesit e vaksinave “Fajzer” dhe “Moderna” si kompani të cilët kanë për qëllim t’u sigurojnë vaksina shtesë vendeve të cilat tashmë kanë shkallë të lartë të vaksinimit.

“Në vend të kësaj, ata duhet t’i kahëzojnë dozat e veta drejt programit Kovaks për distribuim të vaksinave.

“Fajzer” dhe partnerit i tij gjerman “Biontek” javën e kaluar paralajmëruan se do të kërkojnë miratim nga rregullatorët evropianë dhe amerikanë për vaksinim për dozë të tretë që do ta përforcojë imunitetin gjashtë muaj pas vaksinimit.