OBSH thotë se vaksinat duhet të funksionojnë kundër variantit Omicron

Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thotë se vaksinat duhet të mbrojnë njerëzit që infektohen me variantin Omicron nga rastet e rënda të COVID-19.

Sipas BBC, njoftimi vjen pasi testet e para laboratorike të variantit të ri në Afrikën e Jugut sugjerojnë se mund të shmangë pjesërisht efektin e vaksinës Pfizer.

Studiuesit thonë se ka pasur një “rënie shumë të madhe” në atë se sa e neutralizojnë variantin e ri antitrupat e vaksinës.

Por, Mike Ryan, nga OBSH tha se nuk kishte asnjë shenjë që Omicroni do të ishte më i fortë në shmangien e efektivitetit të vaksinave se sa variantet e tjera.

“Ne kemi vaksina shumë efektive që kanë rezultuar efektive kundër të gjitha varianteve deri më tani, për sa i përket sëmundjes së rëndë dhe shtrimit në spital, dhe nuk ka asnjë arsye për të pritur që nuk do të ishte kështu edhe për Omicronin”, tha Ryan, drejtori i urgjencave të OBSH-së.