OBSH: Numri i të infektuarve me virus po bie, por jo i të vdekurve

Numri i rasteve të reja me koronavirus ka rënë në shtatë javët e fundit, ka thënë shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus, mirëpo ai po ashtu ka njoftuar se numri i të vdekurve brenda ditës arrin në mbi 10,000.

Shefi i OBSH-së ka thënë më 14 qershor se rënia e numrit të rasteve në periudhë prej shtatë javësh është më e gjata prej kur ka nisur pandemia.

Mirëpo vdekjet sipas tij nuk po e ndjekin trendin e njëjtë, për shkak të mungesës së qasjes në vaksina në disa shtete.

“Virusi është duke u përhapur më shpejt sesa vaksinat”, ka thënë Tedros në një konferencë për media më 14 qershor. Tedros ka mirëpritur premtimet e liderëve të grupit të shtatë vendeve më të industralizuara (G7) për ndarje të 870 milionë vaksinave për COVAX, mirëpo ka thënë se edhe 11 miliardë doza tjera janë të nevojshme.

COVAX është nismë e OBSH-së për ndarje të vaksinave në vendet e varfra.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopins, prej shpërthimit të koronavirusit në fund të vitit 2019, autoritetet në gjithë botën kanë regjistruar mbi 176 milionë persona të infektuar.

Prej tyre mbi 3.8 milionë pacientë kanë vdekur./REL