OBSH: Javët e ardhshme vendimtare për Evropën

“Numri i rasteve në rajon vazhdon të ngjitet. Në dhjetë ditët e fundit, numri i rasteve të të infektuarve në Evropë gati është dyfishuar, për t’iu afruar njëmilionëshit”, ka thënë drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge.

Kjo nënkupton që gati 50 për qind e rasteve në botë janë në Evropë. Më shumë se 84 mijë njerëz në këtë kontinent kanë vdekur si pasojë e virusit.

“Stuhia e pandemisë akoma qëndron mbi Evropë”, ka thënë Kluge.

Teksa disa shtete kanë nisur të mendojnë nëse masat duhet të lehtësohen dhe nëse shkollat apo vendet e punës duhet të nisin të hapen, ai ka thënë se është kritike që të kuptohet kompleksiteti dhe pasiguria e këtij transicioni.

Kompanitë dhe politikanë botërorë janë shqetësuar për ndikimin ekonomik të mbylljes afatgjate dhe disa shtete në Evropë – si Gjermania, Danimarka, Spanja e të tjerë – kanë nisur të mendojnë si të lehtësojnë masat.

“Njerëzit po pyesin me të drejtë: Sa duhet të durojmë? Sa gjatë? Në përgjigje, ne, qeveritë dhe autoritetet shëndetësore duhet të dalim me zgjidhje për të treguar kur, nën çfarë kushte dhe si mund të konsiderojmë të sigurt transicionin”, ka thënë ai.

Sipas tij, çdo hap për reduktim të masave duhet të vijë pasi të ketë siguri të plotë që lëvizjet janë të kontrolluara, shpërthimi nuk është i mundshëm e se sistemet shëndetësore kanë kapacitet të mjaftueshëm për të identifikuar, testuar e për të izoluar rastet me Covid-19.

“Mbesim në mes të stuhisë… Nëse nuk mund të siguroheni që këto kritere janë në vendin e duhur para lehtësimit të masave. Ju rekomandoj të rimendoni”, ka shtuar ai.