OBSH: Evropa miraton strategjinë shëndetësore 2026–2030

Tre vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në rajonin evropian kanë rënë dakord për një vizion të përbashkët lidhur me politikat e tyre shëndetësore për vitet në vijim.

Programi i Dytë Evropian i Punës 2026–2030 (EPW2) u miratua unanimisht nga vendet gjatë mbledhjes vjetore të Komitetit Rajonal të OBSH-së në Kopenhagë, njoftoi organizata..

Strategjia e re pesëvjeçare përshkruhet nga OBSH Evropa si një “hartë rruge ambicioze dhe e orientuar drejt veprimit” për ndërtimin e shoqërive më të shëndetshme, më të drejta dhe më të qëndrueshme në rajon.

Drejtori Rajonal, Hans Kluge, e quajti këtë marrëveshje “një busull shëndetësore në një epokë të turbullt”.

Ai tha se bëhet fjalë për një premtim kolektiv për të mbrojtur njerëzit nga krizat, për të reduktuar pabarazitë, për të mbështetur profesionistët e shëndetësisë, për të promovuar shkencën dhe për të rikonceptuar sistemet shëndetësore për brezat e ardhshëm.

Fokus i veçantë në luftën kundër dhunës ndaj grave

Në programin e punës, vendet anëtare kanë përcaktuar prioritetet e tyre të politikave shëndetësore për pesë vitet e ardhshme.

Kluge renditi pesë fusha kryesore në platformën X: forcimin e sigurisë shëndetësore, parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, promovimin e plakjes së shëndetshme, përballimin e krizës klimatike dhe ndikimeve të saj në shëndet, si dhe formësimin e sistemeve shëndetësore të së ardhmes.

Kluge theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së dy nismave të veçanta në këtë axhendë: përmirësimin e kujdesit parësor dhe dhënien fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Sipas Drejtorit Rajonal të OBSH-së, asnjë shoqëri nuk mund të lulëzojë nëse popullsia e saj jeton me frikë ose pa akses në kujdes mjekësor.