Shkruan: Fërgim Demiri/Manastir
Ky është Hoteli “Liria”, pronë e familjes së Themistokli Gërmenjit, i vendosur në qendër të qytetit. Gërmenjtë ishin një familje tregtare dhe aristokrate, dhe pikërisht këtu kishin vendqëndrimin rilindësit e shekullit të kaluar.
Me plot të drejtë, Muzeu i Shkronjave nga Kongresi i Manastirit është dashur të hapet pikërisht këtu, sepse në këtë objekt ka kuvenduar Këshilli i Kongresit. Mirëpo, shqiptarëve nuk u intereson arsimi dhe këto çështje i lënë në harresë.
Njëra nga pasardhëset e familjes Gërmenji posedon tapi nga koha osmane, megjithatë klasat tona politike ia kanë ndaluar aktivitetin për rikthimin e objektit, edhe pse BDI, me Ali Ahmetin në krye, ishte në pushtet plot 24 vjet.
Objekti ku sot është vendosur muzeu ka qenë dikur një kasolle dhe magazinë për mallra e Feim Bej Zavalani. Ai objekt nuk ka asnjë rol historik, sepse shqiptarët kanë jetuar në qendër të Manastirit, e jo në periferi. Kjo është historia reale e këtij objekti.
Më pas, në vitet e Jugosllavisë Mbretërore, emri i hotelit ndryshohet: nga “Hotel Liria”, serbët ia vendosin emrin “Hotel Beograd”, dhe kështu quhet për një kohë të gjatë, deri sa nuk e nacionalizojnë komunistët jugosllavë.
Kjo është e vërteta që vazhdimisht anashkalohet, ndërsa institucionet shqiptare heshtin.



