NYT: Trump e nënvlerësoi Iranin, tani kërkon një rrugëdalje

Presidenti amerikan, Donald Trump duket se e kanë nënvlerësuar mënyrën se si do të reagonte Irani ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit.

Sipas gazetës amerikane New York Times, tani në Washington po shqyrtohen mënyra për të dalë nga konflikti pa përshkallëzim të mëtejshëm.

Edhe pse udhëheqësit iranianë publikisht refuzojnë të negociojnë me SHBA-në, sipas burimeve të gazetës disa zyrtarë iranianë kanë kontaktuar fshehurazi me CIA-n përmes një vendi të tretë. Ata kanë shprehur gatishmëri për të diskutuar kushtet për ndalimin e luftimeve.

Megjithatë, në Washington ka dyshime nëse Irani është realisht i gatshëm për marrëveshje, sepse situata në udhëheqjen iraniane është shumë kaotike pas sulmeve dhe vrasjes së disa figurave të rëndësishme.

Ndërkohë, disa zyrtarë izraelitë kërkojnë që sulmet të vazhdojnë për disa ditë të tjera për të dëmtuar maksimalisht kapacitetet ushtarake iraniane dhe ndoshta edhe për të rrëzuar regjimin në Teheran.

Për këtë arsye ata nuk e shohin seriozisht ofertën për negociata.

Trump fillimisht kishte thënë se ishte i hapur për marrëveshje, por më vonë deklaroi se “tashmë është tepër vonë për bisedime”. Ai gjithashtu tha se shumë nga njerëzit iranianë me të cilët SHBA kishte pasur kontakte dhe i konsideronte si liderë të mundshëm janë vrarë gjatë sulmeve.

Sipas analistëve, nëse regjimi iranian mbijeton, një nga pyetjet kryesore do të jetë nëse Trump mund të gjejë një partner më “të moderuar” për negociata brenda strukturës së pushtetit në Iran.

Megjithatë, shumë ekspertë paralajmërojnë se ideja për ta “moderizuar” sistemin politik iranian shpesh është një iluzion.