Izraeli po përshpejton sulmet ndaj objektivave strategjike në Iran, nga frika se Shtetet e Bashkuara mund të ndërhyjnë për t’i dhënë fund luftës në mënyrë të papritur.
Sipas një raportimi të New York Times, që citon zyrtarë të lartë izraelitë dhe burime të informuara, kryeministri Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë të godasë sa më shumë objektiva të industrisë së armëve iraniane brenda 48 orëve.
Ky vendim erdhi pasi qeveria izraelite mori në dorë një draft të një plani amerikan me 15 pika për përfundimin e luftës, i cili i është paraqitur Iranit.
Sipas burimeve, plani ka ngritur shqetësime në Tel Aviv, pasi nuk garanton neutralizimin e plotë të programit bërthamor dhe kapaciteteve të raketave balistike të Iranit.
Frika kryesore e Izraelit është se presidenti amerikan Donald Trump mund të shpallë në çdo moment nisjen e bisedimeve për paqe, duke ndalur operacionet ushtarake para se të arrihen objektivat kryesore.
Këto objektiva përfshijnë eliminimin e kërcënimit bërthamor dhe raketor iranian, si dhe krijimin e kushteve për dobësimin e regjimit në Teheran.
“Nëse nuk arrihen këto tre objektiva, lufta nuk mund të përfundojë”, deklaroi Boaz Bismuth, kryetar i komisionit parlamentar për çështjet e jashtme dhe mbrojtjen.
Në këtë kontekst, ushtria izraelite po përpiqet të godasë sa më shumë objektiva kyçe, ndërsa dritarja kohore për operacione shihet si e kufizuar.



