Nxorën pamje të sulmeve iraniane, 70 anglezë pas hekurave në Dubai, rrezikojnë 10 vite burg

Rreth 70 shtetas britanikë janë arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe pasi kanë fotografuar ose shpërndarë pamje të sulmeve me dronë dhe raketa gjatë tensioneve me Iranin.

Daily Mail duke iu referuar organizatave të të drejtave të njeriut, raporton se turistë, emigrantë dhe anëtarë ekuipazhi janë mbajtur në paraburgim për shkelje të ligjeve të rrepta të sigurisë, të cilat ndalojnë publikimin apo edhe marrjen pasive të imazheve që mund të “kompromentojnë stabilitetin kombëtar”.

Shkeljet mund të dënohen me deri në 10 vite burg ose gjoba të larta. Sipas organizatës “Dubai Watch” sistemi ligjor është i mbingarkuar dhe të arrestuarit mund të qëndrojnë me muaj në paraburgim pa akuza. Disa prej tyre janë liruar me kusht, por me pasaportën e bllokuar, duke mbetur të bllokuar në Dubai.

Aktivistët pretendojnë se të ndaluarit janë përballur me kushte të vështira dhe presion për të nënshkruar dokumente në arabisht pa përkthim, ndërsa qasja konsullore britanike raportohet të jetë e kufizuar.

Radha Stirling nga grupi “Detained in Dubai” deklaroi: “Qytetarët britanikë po mbahen në kushte të mbipopulluara, u mohohen medikamentet dhe po detyrohen të nënshkruajnë rrëfime pa përfaqësim ligjor.”

Ndërsa David Haigh nga “Dubai Watch” shtoi: “Dubai është një markë globale që përpiqet me çdo kusht të ruajë imazhin e saj.”

Sakaq, autoritetet në Emirate theksojnë se fotografimi ose shpërndarja e pamjeve nga vendet e ndjeshme gjatë incidenteve të sigurisë përbën shkelje ligjore dhe mund të rrezikojë sigurinë publike.