Numri i të prekurve në botë, rreth 1 milion e gjysmë

Fakti se në shtete të ndryshme evropiane po bie intensiteti i infektimeve me koronavirus, jep shpresë se situata me pandeminë në disa pjesë të kontinentinentit po shkon drejt përmirësimit dhe është sinjal se masat rigoroze po japin rezultate. Pas disa ditësh rënie të numrit të viktimave ditore në Spanjë, 24 orëshi solli fundin e jetës së 743 të infektuarve. Numri i rasteve të reja është 5 500, numër ky më i ulët sesa 7 000 rastet e konfirmuara të shtunën. Autoritetet e shtetit të dytë më të prekur në botë thanë se po shqyrtojnë mundësi të tjera të mbrojtjes, mes të cilave testimin e të gjithëve që kanë simptoma të sëmundjes. Ndonëse në javën e katërt të karantinës shtetërore, kryeministri, Pendro Sançez tha se është ende herët për të shfuqizuar këtë masë, ndonëse Spanja është në pozicion “që të bëjë kthesë”. Në vazhdën e rënies së numrit të viktimave ditore në shtetin me më së shumti viktima, Italinë shifra më e ulët në dy javët e fundit, mbetet ajo e së dielës, 525. Autoritetet italiane thanë se shteti ka kapërcyer “kulmin” e virusit, ndonëse edhe më tej do të përballet me momente të vështira. Besojnë se mijëra jetë janë shpëtuar përmes distancës fizike. Edhe Gjermania po raporton një zbehje të lehtë në numrin e rasteve ditore të infektimeve. Ndërsa Austria e cila pas tre javësh karantine shtetërore ka arritur ta zvogëlojë dukshëm numrin e infektimeve ditore, ka vendosur t’i zbusë gradualisht edhe masat parandaluese.

Nga ana tjetër, Franca e Britania e Madhe duket se po përballen me “kulmin” e virusit. Franca vazhdon të shënojë numër të madh viktimash ditore, vetëm të hënën 833 nëpër spitale e shtëpi kujdesi. Për çka, Ministri i Shëndetësisë, Oliver Veran paralajmëroi një operacion testimi në shtëpitë e kujdesit, duke theksuar se ky shtet është ende larg fundit të infektimeve.

Qeveria britanike njoftoi se kryeministri Boris Johnson është në gjendje stabile, pasi natën e kaluar është transferuar në kujdes intensiv. Johnson është duke u trajtuar me oksigjen dhe merr frymë pa ndonjë ndihmë tjetër, tha zëdhënësi i tij. Kryeministri nuk ka diagnozë të pneumonisë, shtoi ai. Zyrtarë të Qeverisë britanike kanë thënë se Johnson vazhdon të mbetet në krye të ekzekutivit.

Belgjika sot raportoi mbi 400 vdekje ditore, që e çoi në 2 035 numrin e viktimave të përgjithshme. SHBA-ja vazhdon të kryesojë listën e shteteve më të prekura në botë, me 30.000 raste të infektuarve në 24 orët e fundit dhe 1150 viktima.

Në Kinë nga ana tjetër për të dytën ditë me radhë nuk regjistrohet asnjë viktimë. Në shtetin e origjinës së pandemisë aktualisht aktivë janë vetëm rreth 1200 raste. Organizata më e madhe e shëndetësisë në botë paraprakisht i ka paralajmëruar shtetet që të mos shpejtojnë me heqjen e masave parandaluese, pasi pasojat mund të jenë edhe më të rënda. Ndërsa ka konfirmuar se më shumë se 70 shtete i janë bashkëngjitur përpjekjeve për të gjetur trajtimin efikas dhe 20 institucione e kompani po garojnë për gjetjen e vaksinës ndaj COVID 19. Ndërkohë që pandemia ka gjunjëzuar ekonominë evropiane, Ministrat e Financave të BE-së takohen online për të gjetur një zgjidhje për, siç e cilësoi kancelarja gjermane, Angela Merkel, “testin më të vështirë për BE-në që nga themelimi i saj”.