Numërohen mbi 98 për qind të votave

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në bazë të 98,25% të vota të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit është e para me 48,17 për qind apo mbi 374 mijë vota nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën në Kosovë.

Sipas rezultateve preliminare, të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia e dytë, Partia Demokratike e Kosovës ka 17,35 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13,18 për qind.

Në vendin e katërt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.42 për qind.

Në këto zgjedhje morën pjesë mbi 47 për qind e votuesve. Të drejtë vote kishin mbi 1.7 milion qytetarë.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Krahasimi me zgjedhjet e kaluara

Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2019, Vetëvendosje kishte fituar 221.001 vota apo 26,27% duke siguruar 29 ulëse në parlament, Lidhja Demokratike e Kosovës, 206.516 vota (24.5%) apo 28 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës, 178.637 vota (21.2%) 24 ulëse, koalicioni AAK-PSD – 96.872 vota (11.5%) me 13 deputetë, Lista Serbe – 54.861 vota (6.4%) apo 10 ulëse si dhe Nisma – 42.083 vota (5.002%) apo 6 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit janë thirrur më 6 janar nga ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, në muajin qershor të vitit të kaluar.

Konstatimi i Gjykatës është shpallur më 21 dhjetor, me shpjegimin se një deputet që ka votuar për Qeverinë e Hotit, ka qenë i dënuar për vepër penale.

Një qeveri koalicioni e udhëhequr nga Kurti, vitin e kaluar, ka zgjatur vetëm 51 ditë, pasi është rrëzuar me votë mosbesimi.