Realiteti në terren mbetet zhgënjyes edhe pas gati pesë viteve pasi një pjesë e Malit Sharr u shpall Park Kombëtar, as statusi i mbrojtur nuk i ndali qytetarët e pandërgjegjshëm të abuzojnë me natyrën, por as institucionet nuk e trajtuan me seriozitet të shtuar problemin e ndotjes. Deponitë ilegale dhe grumbujt e mbetjeve hasen në shumë zona të Sharrit, ndërsa kjo plagë mjedisore vazhdon prej vitesh pa zgjidhje të qëndrueshme. Shoqëria civile paralajmëron se, nëse synohet që Sharri të promovohet si atraksion turistik, vizitorët nuk do të vijnë për të parë mbeturina në çdo cep, por kërkojnë natyrë të pastër, menaxhim serioz dhe bashkëpunim real ndërinstitucional. Por institucionet i ‘mbyllin sytë’ ndaj problemit dhe hedhin përgjegjësitë te njëra tjetra, shkruan Portalb.mk.
Menaxhimi i dobët i mbeturinave, si atyre komunale ashtu edhe ndërtimore në vendbanimet brenda dhe përreth Parkut Kombëtar ka bërë që mbetjet të përfundojnë në çdo cep të malit, duke krijuar deponi ilegale dhe ndotje të vazhdueshme.
Problemi përkeqësohet edhe nga vizitorët që e shfrytëzojnë Sharrin për piknikë dhe aktivitete malore, por shpesh i lënë mbeturinat pas, të cilat herë pas here pastrohen falë nismave vullnetare të dashamirëve të natyrës.
Muaremi: Mungon menaxhim i duhur dhe i centralizuar
Kjo zonë duhet të jetë simbol i bukurive natyrore dhe destinacion që tërheq turistë, ashtu siç edhe njihet historikisht, e jo të shndërrohet në hapësirë të ndotur nga mbeturinat. Kështu tha për Portalb.mk Metin Muaremi nga nisma ‘Miqtë e Sharrit’.

Ai thotë se problemi i deponive ilegale në Sharr përbën një nga sfidat më serioze mjedisore me të cilat përballet rajoni , veçanërisht duke pasur parasysh se bëhet fjalë për zonë të mbrojtur si Parku Kombëtar Mali Sharr.
“Si Platformë “Miqtë e Sharrit”, prej vitesh kemi alarmuar se mungon një menaxhim i duhur dhe i centralizuar, së paku në nivel të Pollogut, për grumbullimin, riciklimin dhe trajtimin e mbetjeve, përfshirë edhe mbeturinat inerte. Jemi të vetëdijshëm se brenda zonës së mbrojtur ka fshatra ku jetojnë qytetarë, mirëpo mungesa e një sistemi funksional të menaxhimit të mbeturinave mbetet një nga arsyet kyçe për përhapjen e deponive ilegale”, tha Muaremi.
Ai thotë se arsye tjetër është mungesa e kapaciteteve të institucioneve inspektuese për të qenë vazhdimisht në terren dhe për t’u përballur me këto problematika.
“Si rezultat, numri i deponive ilegale rritet çdo ditë, ndërsa shpesh komunat dhe institucionet përballen me pamundësi reale për t’i menaxhuar këto situata. Po ashtu, shqetësuese mbetet mungesa e vetëdijes, jo vetëm te qytetarët, por edhe te vendimmarrësit për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe shfrytëzimit të balancuar të resurseve natyrore”, tha Muaremi.

Për 5 vjet asnjë rast i paraqitur në polici
Pavarësisht situatës në terren, nga viti 2021 deri në 2026, në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë nuk janë regjistruar raportime për “Ndotje të mjedisit jetësor” në Malin Sharr.
Mali Sharr: Problem kompleks
Nga Parku Kombëtar ‘Mali Sharr’ për Portalb.mk thonë se pastrimi i deponive ilegale nuk është kompetencë e drejtpërdrejtë ligjore e institucionit të tyre, por është përgjegjësi e njësive të vetëqeverisjes lokale dhe ndërmarrjeve publike komunale të ngarkuara me menaxhimin e mbeturinave.
“Megjithatë, në kuadër të kompetencave tona ligjore shërbimi i rojës së parkut realizon monitorim të rregullt në terren dhe në rast se evidentohen persona duke hedhur mbeturina në kundërshtim me ligjin, përgatiten procesverbale përkatëse, rastet procedohen në Inspektoratin për mbrojtjen e natyrës për veprime të mëtejshme, në përputhje me kompetencat ligjore si dhe bashkëpunohet me institucionet kompetente për identifikimin e ndotësve dhe parandalimin e rasteve të përsëritur”, thanë nga PK ‘Mali Sharr’.
Nga aty theksojnë se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kompaninë Saubermacher, e cila merret me grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave.
“Ky bashkëpunim synon koordinim më efikas në grumbullimin e mbeturinave dhe adresimin e pikave problematike brenda territorit të parkut. Gjithashtu, ekziston komunikim dhe koordinim i vazhdueshëm me komunat përkatëse për organizimin e aksioneve të përbashkëta të pastrimit dhe ndërhyrjeve në terren”, thanë nga PK ‘Mali Sharr’.
Nga aty thonë se ndërmarrin aktivitete të ndryshme si sensibilizim i vizitorëve dhe banorëve lokalë, vendosja e tabelave paralajmëruese dhe informuese, aktivitete edukative me shkolla dhe organizata civile dhe koordinim ndërinstitucional për zgjidhje afatgjate të menaxhimit të mbeturinave, por e pranojnë se problemi i deponive ilegale mbetet kompleks.

Institucionet e mjedisit: Përgjegjës janë komunat
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thotë për Portalb.mk se nuk vepron dhe nuk ndërmerr masa ndaj këtij problemi , pasi siç thonë kjo është obligim i Parkut Kombëtar dhe i Komunës së Tetovës.
“Ministria ka dhuruar kosha dhe kontejnerë për grumbullimin e mbeturinave, ndërsa obligimi për largimin (dislokimin) e mbeturinave është përgjegjësi e tyre”, thanë nga Ministria e Mjedisit Jetësor.
Diçka të ngjashme thanë edhe nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit.
“Për mbeturinat në sipërfaqet publike është kompetent Inspektorati Komunal i Tetovës, në territorin e së cilës ndodhet edhe Parku Kombëtar Mali Sharr, inspektori komunal dhe inspektori për mjedisin jetësor, në përputhje me Ligjin për Pastërtinë Publike dhe Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave”, thanë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit për Portalb.mk.

Komunat e hedhin përgjegjësinë te Parku Kombëtar dhe Institucionet qendrore
Territori i parkut kombëtar në pjesën më të madhe bie në territorin e Komunës së Tetovës. Megjithatë nga Komuna e Tetovës në një deklaratë për Portalb.mk thonë se Inspektorati Komuna nuk ka ingerenca ligjore për të kryer kontrolle, inspektime apo për të shqiptuar masa ndëshkuese lidhur me menaxhimin e mbeturinave brenda territorit të parkut nacional.
“Kompetencat për mbikëqyrje dhe veprim në këtë zonë i takojnë organeve përgjegjëse në nivel qendror (inspektorëve shtetëror) dhe administratës së parkut”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Por nga aty thonë se , ne si pushtet lokal, janë të gatshëm për bashkëpunim institucional në rast nevoje, me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e pastërtisë së kësaj zone të mbrojtur.
Ngjashëm u përgjigjën edhe nga Komuna e Tearcës.
“Komuna e Tearcës nuk posedon të dhëna për gjoba të shqiptuara për këtë shkelje në zonën e Parku Kombëtar Mali Sharr. Çështjet e menaxhimit dhe mbikëqyrjes së mbeturinave në zonën e parkut janë në kompetencë të Drejtorisë së Parkut Kombëtar Mali Sharr, ndërsa inspektori komunal vepron vetëm në territorin e Komunës së Tearcës, në përputhje me autorizimet ligjore”, thanë nga Komuna e Tearcës.

Nga Komuna e Gostivarit të pyetur nëse Inspektorati Komunal ka shqiptuar ndonjë gjobë, nuk u përgjigjën konkretisht.
“Mali Sharr nuk prek Komunën e Gostivarit përveç dy fshatrave të vogël malor, e që nuk janë zonë e mbrojtur”, thanë nga Komuna e Gostivarit.
Parku Kombëtar ‘Mali Sharr’ shtrihet edhe në një pjesë të Komunës Mavrovë Rostrushë. Por as nga inspektorati i kësaj komune nuk është shqiptuar asnjë gjobë për ndotje.
“Nuk ka arritur asnjë ankesë, parashtresë apo kallëzim për hedhje të mbeturinave në territorin e përbashkët të komunës dhe Parkut Kombëtar “Sharri”, po ashtu as inspektorët tanë nuk kanë hasur në deponi të egra apo persona që hedhin mbeturina në vende të ndaluara në këtë territor. Për këtë arsye, ju njoftojmë se Inspektorati Komunal nuk ka shqiptuar asnjë gjobë për ndotje në territorin e përbashkët të Komunës së Mavrovës dhe Rostushës dhe Parkut Kombëtar “Sharri”, thanë nga Komuna Mavrovë Rostushë.
Nga Komuna e Bogovinës, Vrapçishtit dhe Jegunovcës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske për këtë problem.

Situata në Malin Sharr mbetet e paqëndrueshme dhe sfiduese, mbeturinat dhe deponitë ilegale vazhdojnë të jenë të pranishme në shumë zona, ndërsa institucionet lokale dhe qendrore shpesh i hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës. Pa menaxhim të koordinuar, kontroll të vazhdueshëm dhe vetëdijesim të qytetarëve, ky problem rrezikon jo vetëm bukuritë natyrore të Sharrit, por edhe potencialin e tij turistik, shëndetin dhe mjedisin.
Ndryshe, pas disa dekadave pritje, më 30 Qershor 2021, Kuvendi i Мaqedonisë së Veriut e shpalli park kombëtar një pjesë të Malit Sharr. Parku mbulon një sipërfaqe prej 62,705 hektarë, brenda kufijve të parkut gjenden 27 fshatra me rreth 17,000 banorë, të ndara në shtatë komuna.



