“Nuk mendoj se ka njeri në podium për momentin përveç Salah”, legjenda e Man Utd flet për Topin e Artë

Legjenda angleze e Manchester Unitedit, Rio Ferdinand beson se Mohamed Salah është i vetmi pretendentë serioz për Topin e Artë për momentin.

Lufta për çmimin më të madh individual në futbollin botëror këtë vit pritet të jetë shumë e zjarrtë me shumë emra yjesh që permenden si fitues të mundshëm.

Megjithatë, sipas ish-mbrojtësit anglez, Ferdinand, ylli i Liverpoolit, Salah është i vetmi pretendentë momentalisht për të fituar Topin e Artë.

“Nuk mendoj se ka asnjë tjetër në podium tani përveç tij. Por mendoj se, me mënyrën se si është strukturuar Liga e Kampionëve, kur skuadrat përparojnë në fazat e eliminimit dhe një lojtar fillon të dallohet, ata lojtarë do të jenë gjithashtu pretendentë”, ka thënë fillimisht Ferdinand.

“Në ndeshjet e mëdha, gjithçka varet nga momentet individuale. Mund të prisni që [pretenduesit për Topin e Artë të përfshijnë] Salah, Ousmane Dembele, nëse PSG shkon larg, Mbappe, Vinicius, Bellingham”.

“Kushdo që ruan statusin e tij dhe luan në gjysmëfinale dhe finale do të fitojë Topin e Artë. Nëse Liverpooli fiton Ligën e Kampionëve, jam i sigurt se Salah do të luajë një rol të madh”, përfundoi ish-mbrojtësi i Manchester United.