Nuk mbahen as në nëntor e as dhjetor, anulohen seancat për Thaçin dhe të tjerët

Seancat gjyqësore ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së për muajin nëntor dhe dhjetor janë anuluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të kësaj gjykate.

“Pas përfundimit të Konferencës për Ecurinë e Çështjes sot, ju informojmë se të gjitha seancat e caktuara më parë për nëntor dhe dhjetor në gjykimin Thaçi dhe të tjerët janë anuluar dhe janë hequr nga Kalendari i Gjykatës”.

“Siç është thënë gjatë Konferencës për Ecurinë e Çështjes, Trupi Gjykues synon të lëshoj një vendim më vonë këtë javë në lidhje me hapat e ardhshëm”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Një ditë më parë, Klan Kosova ka raportuar se gjykimi i dytë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me rastin për administrimin e drejtësisë, mund të nisë më herët se sa kishte kërkuar mbrojtja e tij.