Nuk ka filluar zbatimi i 4 projekteve në Komunën e Sarajit, qytetarët: Para zgjedhjeve makineri, pas zgjedhjeve gërmadha

Tre muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë kontraktuese, ende nuk ka filluar zbatimi i 4 projekteve të financuara nga kredia hungareze që Komuna e Sarajit i ka fituar gjatë thirrjes së dytë qeveritare në vlerë prej 5.4 milionë euro.

“Gypat që po shihni prapa meje janë të furnizuara për të ndërtuar ujësjellësin në fshatin Llaskarcë të Komunës së Sarajit. Sipas banorëve këto gypa janë sjellë që prej para zgjedhjeve, ndërsa sot në terren nuk kryhen punime”, raporton Suad bajrami, gazetar.

“Nuk kanë nisur ende të punojnë. Se çfarë është puna edhe ne nuk e dimë. Sa i kanë sjellë gypat? Po para zgjedhjeve”, tha Vedat Ziberi, banor i Llaskarcës.

“Kanë dalë kanë drejtuar, kanë shkruar, numrat se kah duhet të shkojë ujësjellësi. Ato ditë kanë punuar dhe tani janë ndal. Se çfarë është problemi nuk e di”, u shpreh Halim Halimi, Banor i Llaskarcës.

Gjatë vizitës së ekipit të Alsat, një banor na tregoi se në një pjesë të rrugës para zgjedhjeve janë hequr bekatonat për ta rregulluar ujësjellësin, por pas zgjedhjeve autoritetet janë zhdukur duke lënë gërmadhë pas vete.

“Para zgjedhjeve erdhën me makineri dhe i sollën, kurse dy ditë pas zgjedhjeve erdhën dhe na gërryen vendin i kanë hequr bekatonat. Dy ditë mbrapa kanë pasur marrëveshje, nuk e di pse edhe mbetën çelë dhe jam detyruar që vetë t’i vendos. Jo që i kam vendosur si duhet, por vetëm prej zorit e kam pasur patjetër t’i vendos”, theksoi Vesel Shabani, Banor i Llaskarcës.

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi sqaron se arsyeja e vonesës është revizioni që ka kryer për projektet dhe ankesa e një kompanie në Komisionin për Ankesa për Furnizime Publike, ndërsa premtoi që prej shkurtit do të fillohet me punime.

“Besoj se 10 shkurti ndoshta do të jenë ditët e fundit ku do të fillohet me punë intensive si në Llaskarcë dhe projekte të tjera në vendbanimet tona”, deklaroi Muhamed Elmazi, Kryetar i Sarajit.

Me paratë e kredisë hungareze, pritet të ndërtohet një rrugë dhe një sallë multifunksionale në Rashçe, por edhe një mur mbrojtës mes Gllumovës dhe Sarajit. Të gjitha tenderët i ka fituar kompania JU-BAJ 2 Sh.P.K. Shkup. /Alsat.mk