Një vizitë në Grenlandë zbulon një vorbull emocionesh – nga frika dhe zemërimi deri te pasiguria dhe ndjenja e poshtërimit. Banorët e ishullit përballen me deklaratat dhe presionin e administratës Trump mbi të ardhmen e tyre. Ndërsa fuqitë e mëdha diskutojnë për interesa strategjike, banorët kërkojnë të dëgjohen dhe të përfshihen në vendimet që mund të përcaktojnë fatin e tyre. Shumë nga ta thonë se nuk duan të “blihen” nga askush dhe se identiteti, autonomia dhe dinjiteti i tyre nuk janë në shitje.
Pipaluk Lynge e njeh mirë historinë e trajtimit të popujve indigjenë në Shtetet e Bashkuara. Ajo është gjithashtu plotësisht e vetëdijshme për boshllëqet në sistemin amerikan të kujdesit shëndetësor dhe për pabarazitë e thella ekonomike në vend.
Lynge, një nga zyrtaret më të larta të Grenlandës dhe kryetare e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme dhe siguri, është e indinjuar nga oferta e presidentit Trump për ta blerë Grenlandën, si edhe nga këmbëngulja e tij se grenlandasit do të jetonin më mirë si qytetarë amerikanë.
“Nuk do ta shesim shpirtin tonë”, tha ajo. “Nuk jemi budallenj”.
Ndërsa presidenti Trump duket se luan me fatin e Grenlandës, në vetë ishullin po përjetohen një sërë emocionesh të forta. Njerëzit janë të tronditur, të zemëruar, të hutuar, të poshtëruar, të fyer dhe mbi të gjitha, të frikësuar.
Për shekuj me radhë, bota e ka injoruar kryesisht këtë masë gjigante akulli dhe shkëmbi që shtrihet në Rrethin Arktik, si edhe popullin inuit që ka mësuar të mbijetojë aty. Grenlanda ka qenë pjesë e largët e Mbretërisë Daneze për më shumë se 300 vjet dhe tani grenlandasit po përpiqen të përfshihen në diskutimet për të ardhmen e tyre, përpara se të jetë tepër vonë.
Më 14 janar, ministri i jashtëm i Grenlandës mori pjesë në një takim të nivelit të lartë në Washington – hera e parë që ishulli përfshihet drejtpërdrejt në një proces kaq të rëndësishëm. Kjo ngjarje çon peshë te banorët pasi presidenti amerikan së fundmi u zotua se do të “bëjë diçka për Grenlandën, pavarësisht nëse atyre u pëlqen apo jo”.
Intervistat e ditëve të fundit me grenlandas nga zona dhe profesione të ndryshme tregojnë se banorët e ishullit nuk duan të rikolonizohen nga një fuqi tjetër e jashtme dhe se vetëm një pakicë shumë e vogël ka ndonjë interes, qoftë edhe të zbehtë, për t’u bashkuar me Shtetet e Bashkuara.
Ata e vlerësojnë modelin skandinav të shtetit social, me shërbime shëndetësore falas, arsim falas dhe një rrjet të fortë sigurie sociale. Ndihen të lidhur me Danimarkën, edhe pse ende ekzistojnë plagë të hapura nga periudhat e mëparshme të kolonializmit dhe abuzimeve.
Sigurisht që nuk duan të “blihen” nga askush, por e pranojnë se ekonomikisht nuk janë ende në gjendje të qëndrojnë plotësisht në këmbët e tyre.
“Nuk është koha për pavarësi”, tha Nielsine Lange, mësuese e arsimit special në Ilulissat, një qytet në bregun perëndimor. “Do të ishte shumë e rrezikshme dhe njerëzit nuk do të ishin mjaftueshëm të përgjegjshëm. Fillimisht duhet të forcohemi si shoqëri – pavarësia është një synim, por rruga përpara është ende e gjatë”.
Interesi i kamotshëm për ishullin
Edhe pse Danimarka e ka sunduar Grenlandën për një kohë të gjatë, territori ka fituar gradualisht më shumë vetëbesim dhe autonomi. Sipas ligjit danez, ishulli ka të drejtën të thërrasë një referendum për pavarësi dhe të shkëputet. Megjithatë, kjo ende nuk ka ndodhur, pjesërisht sepse Grenlanda vazhdon të varet nga qindra miliona dollarë subvencione vjetore nga Danimarka.
Një pjesë e madhe e shqetësimit që karakterizon këtë moment lidhet me faktin se ishulli është hedhur papritur në një vorbull gjeopolitike për të cilën nuk është aspak i përgatitur. Pavarësisht përmasave të tij gjigante – më i madh se Meksika – Grenlanda, ishulli më i madh në botë, ka vetëm rreth 57 mijë banorë. Edhe një herë, vendime që mund të kenë pasoja thelbësore dhe afatgjata për fatin e saj pritet të merren në zyra të largëta, mijëra kilometra larg, pa pjesëmarrjen reale të vetë grenlandasëve.
Presidenti Trump dhe ekipi i tij e shohin Grenlandën si tërheqëse për një sërë arsyesh: madhësia e saj strategjike, pasuritë minerare të pashfrytëzuara dhe pozicioni gjeografik jashtëzakonisht i rëndësishëm, në kufi me Kanadanë, Oqeanin Arktik dhe Atlantikun. Në fakt, Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur interes për Grenlandën prej më shumë se 150 vjetësh, pothuajse për të njëjtat arsye.
Në bazë të një traktati të epokës së Luftës së Ftohtë, forcat amerikane tashmë gëzojnë qasje pothuajse të pakufizuar ushtarake në territorin grenlandas – një fakt që shumë banorë të ishullit nxitojnë ta theksojnë. Prandaj, ata pyesin me habi dhe dyshim: pse presidenti Trump vazhdon të përdorë “sigurinë kombëtare” si justifikim për marrjen nën kontroll të territorit?
Në vend që të përpiqet të fitojë zemrat dhe mendjet e popullsisë vendase, qasja e Trumpit ndaj Grenlandës duket se pasqyron një këndvështrim cinik mbi marrëdhëniet ndërkombëtare: në arenën globale, të fortët veprojnë dhe garojnë për dominim, ndërsa të dobëtit thjesht përballen me pasojat. Ashtu siç ai e justifikoi më herët marrjen nën kontroll të prodhimit të naftës së Venezuelës duke thënë se përndryshe këtë do ta bënin Kina ose Rusia, ai ka deklaruar se nëse Shtetet e Bashkuara nuk marrin Grenlandën, atëherë këtë do ta bëjë ndonjë fuqi tjetër e madhe.
Kjo mënyrë e të menduarit nuk iu pëlqen aspak grenlandasëve, e sidomos premtimi i tij i hapur për ta “marrë” thjesht ishullin e tyre.
“Kurrë më parë nuk kemi dëgjuar dikë të flasë në këtë mënyrë për një vend tjetër”, tha Ellen Frederiksen, një mjeke e dalë në pension që jeton në Narsaq, një qytet në jug të Grenlandës.
“Qëndroni në krahun tonë”
Ndërkohë, zyrtarët grenlandas po përpiqen të veprojnë me shpejtësi dhe vendosmëri. Ata po punojnë për të kapërcyer dallimet e brendshme politike dhe për të folur me një zë të vetëm. Kanë udhëtuar vazhdimisht mes Nuukut, kryeqytetit të Grenlandës, dhe Kopenhagës, duke dhënë deklarata gjithnjë e më të drejtpërdrejta se nuk kanë asnjë dëshirë të bëhen pjesë e Shteteve të Bashkuara.
“Nëse do të na duhet të zgjedhim mes Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës, ne zgjedhim Danimarkën”, tha kryeministri i ishullit, Jens-Frederik Nielsen,
Megjithatë, marrëdhëniet me Danimarkën mbeten të ndërlikuara dhe të ndjeshme.
Një takim online i zhvilluar para disa ditësh mes zyrtarëve danezë dhe atyre grenlandas u përshkallëzua në akuza të ndërsjella dhe tone të ashpra, sipas Lynges dhe raportimeve të shumta në mediat daneze. Ajo tregoi se ishte zemëruar jashtë mase kur mësoi se zyrtarët danezë po e përjashtonin nga takime të tjera që kishin të bënin drejtpërdrejt me Grenlandën. E indinjuar, ajo ngriti zërin dhe goditi tavolinën, duke i akuzuar kolegët danezë për sjellje “neokolonialiste”.
“Mjaft më”, tha Lynge. “Këto çështje i kemi ngritur prej vitesh, dhe po të kisha vazhduar të isha diplomatike, asgjë nuk do të kishte ndryshuar”.
Ajo shtoi se, më pas, zyrtarët danezë ranë dakord të përfshinin më shumë përfaqësues grenlandas në diskutimet e ardhshme.
Ky konflikt nxori në pah një nga pyetjet më themelore dhe më të debatueshme: a duhet Grenlanda të vazhdojë të jetë pjesë e Mbretërisë së Danimarkës?
“Nuk ka më kuptim”, tha Vittus Qujaukitsoq, ish-ministër grenlandas. “Na kanë injoruar për shumë kohë”.
Megjithatë, ai theksoi se nuk dëshiron aspak që Grenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara. Preferenca e tij mbetet pavarësia e plotë.
Sondazhet dhe intervistat tregojnë se ekziston një grup i vogël grenlandasish pro-amerikanë, përfshirë edhe një murator që mori pjesë në inaugurimin e presidentit Trump. Por shumica dërrmuese e popullsisë ka frikë se mund të përthithet nga Shtetet e Bashkuara dhe duket se po afrohet gjithnjë e më shumë me Danimarkën, duke e parë atë si mbrojtjen më të mirë kundër ambicieve të Trumpit.
Kjo ndjesi ndihet si në Nuuk, që i ngjan një qyteti të vogël modern danez, me supermarkete të mëdha dhe rrugë të drejta – ashtu edhe në vendbanime të largëta si Kulusuk, në lindje të ishullit, ku disa qindra banorë jetojnë në shtëpi shumëngjyrëshe të grumbulluara buzë detit.
“Unë gjuaj balena dhe foka”, tha Kunuk Abelsen, banor i Kulusukut. “Në Shtetet e Bashkuara mendojnë se balenat dhe fokat janë të lezetshme dhe nuk duhen gjuajtur. Kjo është ajo që më tremb”.
Ai thotë se dëshiron të qëndrojë me Danimarkën.
Një ide që po qarkullon si një kompromis i mundshëm është krijimi i një marrëveshjeje të asociimit të lirë me Shtetet e Bashkuara, e ngjashme me ato që disa shtete ishullore të Paqësorit kanë me Washingtonin. Marrëveshje të tilla u lejojnë vendeve të vogla të jenë formalisht të pavarura, me përfaqësim në Kombet e Bashkuara, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara ofrojnë subvencione financiare dhe garantojnë mbrojtjen ushtarake të tyre.
Por Lynge u shpreh qartë se nuk e dëshiron një marrëdhënie të tillë. Ajo ka frikë se atdheu i saj, nën ndikimin amerikan, mund të shndërrohet thjesht në “një ishull minerar”, i shfrytëzuar për pasuritë e tij natyrore, pa u marrë parasysh kultura dhe njerëzit që jetojnë aty.
Ajo flet me vendosmëri dhe forcë, por lodhja dhe presioni janë të dukshme. Siç tregoi vetë, po fle keq prej kohësh dhe ndjen mbi vete një barrë të jashtëzakonshme përgjegjësie, jo vetëm si zyrtare, por edhe si përfaqësuese e një populli të vogël përballë fuqive të mëdha.
“Nuk dua të kthehem pas një ditë dhe të mendoj se duhej të kisha bërë më shumë”, tha ajo.
Teksa intervista me gazetarin e “New York Times” po përfundonte, ajo veshi pallton dhe doli jashtë, në borën që binte gjithnjë e më dendur. Para se të largohej, ajo la një mesazh të thjeshtë, por të fuqishëm për botën mbarë:
“Qëndroni në krahun tonë”.



