Debati për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër vijon të prodhojë reagime. Kreu i Partisë Komuniste në Shkodër, Gjon Bruçi, është shprehur kundër kësaj nisme, duke kërkuar që Serbia të përballet me të kaluarën e saj dhe me akuzat për krime gjatë luftës në Kosovë.
Në deklaratën e tij, Bruçi tha se nuk mund të ketë marrëdhënie normale pa u adresuar më parë, sipas tij, përgjegjësitë për masakrat ndaj shqiptarëve.
“Si të diskutosh me Serbinë kur të ka përdhunuar 20 mijë gra, ka vrarë mijëra fëmijë, ka pushkatuar dhe dëbuar mijëra shqiptarë?”, u shpreh ai.
Duke komentuar edhe qëndrimet politike në Shqipëri, Bruçi përdori një gjuhë të ashpër, duke thënë: “Duhet ta kapim Vuçiçin e Shqipërisë për veshi dhe ta çojmë në burg”, duke iu referuar kundërshtimeve të tij ndaj atyre që i konsideron mbështetës të politikave serbe.
Deklarata vjen në një kohë kur në Shkodër është hapur debat publik për mundësinë e krijimit të një konsullate serbe në qytet.



