Nuk është mirë që vetëm disa familje shqiptare në Shkup të shfrytëzojnë gjithë të mirat e pushtetit

Arta Bakiu

Kjo që po ndodh në Shkupin tonë shqiptar përfundimisht nuk është në rregull. Gati gjithë të mirat e partisë në pushtet i shijojnë disa familje të njëjta. Ato bëjnë biznese, ato fitojnë tendere, ato vendosin kush punësohet, kush avancohet, kush përjashtohet… krejt fati jonë është në duart e tyre.
Çka është më e keqja, anëtarët e këtyre familjeve rrallë dalin nëpër tubime. As në aktivitete, as në votime. Vetëm i fërkojnë duart sa të hyjë BDI në qeveri dhe pastaj hyxhym të fitojnë miliona. Ne vrapo në tubime, vrapo në vendvotime, vrapo derë më derë, kur vjen koha prapë mbetemi me gishta në gojë…., të njëjtat familje përfitojnë. Ato jetojnë në shtëpi luksoze 3-400 mijë euro, ato shkojnë në pushime, ato mbajnë garderobë të shtrenjtë, ato shoqërohen me familje maqedone, sepse ne u dukemi ‘katunarë” dhe nuk jemi niveli i tyre. Fëmijët e tyre vozisin vetura të shtrenjta, shkojnë në restorante elitare, bëjnë shopingje brenda e jashtë Maqedonisë.
Ku në Greqi, ku në Antali, ku në Spanjë, Dubai e Itali… Ne duhet të jemi të kënaqur që kemi mundësinë tua bëjmë nga një “like” në fotografitë që i postojnë. Nuk është në rregull. Kemi edhe familje skamnorësh, kemi familje invalidësh e dëshmorësh. Nuk është njerëzore sa vite jeni në pushtet, e nuk keni menduar aspak për to. Edhe fëmijët e tyre kanë dëshirë të kenë nga një veturë. Jo të shtrenjta nga 20-30 mijë euro, siç i kanë fëmijët tuaj, por së paku ndonjë të vjetër një mijë-dy mijë euro. Edhe ato kanë dëshirë të shkojnë së paku deri në Strugë ose Ohër për 4-5 ditë pushim, sepse Durrësi e Shën Gjini janë shumë larg për mundësitë e tyre ekonomike. Mirëpo jo. Ato presin Halil Kastratin tua bëjë ndonjë kulm mbi kokë, ose tua blejë ndonjë banesë të vogël. E ju falë mundit e gjakut të prindërve të tyre, sot jetoni jetë luksoze. Edhe ia mbani nalt’, se ne nuk qenkemi niveli juaj.

Të ishte vetëm në Shkup kështu, hallall. Por njësoj është edhe në Tetovë, Kërçovë, Kumanovë, strugë e gjetiu… I fitoni votat në bazë të patriotizmit, e pas zgjedhjeve ju vjen siklet me na fol shqip.
Mjaf më, nuk shkon kështu! Na lodhët me rrenat e njëjta tash sa vite: “Mas çetyne zgjedhjeve, kryetari ka than krejt politikën ka me ndrru. Krejt njer’z të ri kemi me pru”. Ndërroni pak rrenat. A keni harruar se edhe para zgjedhjeve të kaluara me këto rrena na lodhtë. Unë personalisht nuk ju besoj më, kush të don letë ju besojë.