Nuk e ka krejt gabim Azem Vllasi…

Shkruan: Salih Kabashi

Viti 1981 ishte kohë e zgjimit kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavi. Kishte një frymë dhe një vrull që solli Universiteti dhe shkollimi i shqiptarëve, ishte viti 1974 dhe Kushtetuta e Kosovës, me të cilën shqiptarët po faktorizoheshin çdo vit e më shumë…

Por duhet pranuar se Pranvera ’81 nuk kishte liderin e saj, nuk kishte as një grup sado të vogël që do të mundte të formulonte e pastaj ta prezentonte qartë, rrjedhshëm e bindshëm kërkesën për Kosovën Republikë.

I kam takuar disa që mendojnë se ishin organizatorë të demonstratave. Asnjëri, ndoshta me përjashtim të Hydajet Hysenit, nuk më ka bindur, as sot, 30 vjet më pas, se kishin minimumin e domosdoshëm të njohurive politike as të shkathtësive retorike që duhen t’i kenë njerëzit që pretendojnë të vënë në lëvizje dhe të orientojnë lëvizje popullore, siç qe ajo e ’81-shit.

Problemi qëndronte edhe në faktin se « dirigjentët » e asaj kohe nuk njihnin as kishin lexuar asgjë as nga literatura e Shqipërisë së Enver Hoxhës. Krejt zhvillimi dhe e tërë shkolla e tyre politike ishin ekzaltimet nga emitimet e artikujve të « Zërit të Popullit » në Radion e Televizionin Shqiptar…

Prandaj, jam i mendimit se nëse asokohe nuk e kuptonim dhe mirë që nuk e kuptonim Azem Vllasin, sot do të duhej që gjakëftohtësisht të shohim inkapacitetin e atyre studentëve që flisnin jo nga mendja por nga zemra.

Në fund do të shtoja se edhe të burgosurit politikë në shumicën e rasteve, edhe gjatë hetuesisë dhe përgjatë gjykimeve pothuajse nuk kanë mbrojtur kauzën e Kosovës Republikë, duke zgjedhur si mënyrë mbrojtjeje insistimin në moszhvillimin nga ana e tyre të kurrnjë aktiviteti irredentist. Deklaronin se nuk kishin bërë gjë, duke krijuar përshtypjen se vetë ata ishin jugosllavët më të mirë që po akuzoheshin gabimisht e padrejtësisht.

’81-shi sigurisht ishte i nevojshëm, por ai, fatkeqësisht, nuk kishte platformë, pasiqë nuk kishte as njerëz të aftë në ballë të atij vrulli që ndezi ai vit.

Mungesa e platformave e programe kombëtare është diçka që ka përcjellë tri dekadat e fundit të historisë së Kosovës, kështuqë nuk është karakteristikë vetëm e asaj periudhe. As sot Kosova nuk ka platformë as program as politikë kombëtare.

Më duhet të them se Azem Vllasi është i vetmi politikan shqiptar i periudhës së komunizmit, i cili nuk është izoluar asnjëherë pas shkatërrimit të Jugosllavisë dhe nuk ka heshtur për asnjë moment, por ka qëndruar në skenë dhe ka shpalosur guximshëm, mund të them edhe ndershëm si askush tjetër nga kuadrot shqiptare në ish-Jugosllavi, përmes librash, intervistash, artikujsh, debatesh…, edhe historinë e Kosovës nën Serbinë e Jugosllavinë, por edhe shpartallimin e strategjive antikosovare e antishqiptare të shovenizmit serb.

Azem Vllasi është një politikan i zgjuar dhe shqiptar krenar. Personalisht, para 1990-ës për të i kam folur e shkruar njëmijë të zeza. Sot nuk mendoj se kam pasur gjithmonë të drejtë.