Nuk do të shpejtohet me vendimin për mësim online/ Në qeveri do të debatohet për denoncimet për bomba në shkolla

Denoncime të reja për bomba këtë mëngjes në adresat elektronike të 30 shkollave në Shkup, që në orën e parë të mësimit, ndërsa nxënësit përsëri u dërguan në shtëpi dhe përsëri kishin probleme për t’u kyçur në platformën për mësim online. Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri thotë se kishte probleme me kyçje në platformë për shkak se një pjesë e shkollave dje i kanë marrë rekomandimet për fjalëkalimet në sistem. U shpreh se është kundër vendosjes së plotë të mësimit online, duke shtuar se në nivel të qeverisë, së bashku me drejtorët e shkollave, do të kërkojnë zgjidhje, por tani për tani nuk duan të shpejtojnë me një vendim të tillë.

“Për këtë vendim nuk shpejtojmë, por njëkohësisht ky vendim duhet të sillet edhe për shkollat fillore për shkak se sot numri i denoncimeve për bomba është më i madh në shkollat fillore se në shkollat e mesme. Andaj po bëhen disa analiza. Vendimi për mësim tërësisht online nuk është i lehtë për shkak se nuk i dimë pasojat në qytetet e tjera dhe në shkollat e tjera fillore.”- deklaroi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit.

Për kërcënimet e vazhdueshme për bomba në shkollat, kryetari i BNJVL-së, Orce Gjorgievski, kërkon që MPB të ndërmarrë hapa serioz dhe t’i gjejë dërguesit e denoncimeve të rrejshme në shkolla.

“Si kryetar i BNJVL-së e thërras ministrin Spasovski që të mbarojë me shpjegimet se pse nuk mund t’i gjejnë kryerësit. Nuk kalon më asnjë arsyetim sepse nuk ka rezultate nga asnjë hetim.”- deklaroi Orce Gjorgievski, kryetar i BNJVL-së.

Nga VMRO-DPMNE me qëndrim se për shkak të denoncimeve për bomba, mësimi është në ndërprerje të plotë ndërsa dëmi është i përhershëm dhe që nuk mund të kompensohet.

“E thërras MPB-në që ta bëjë punën e saj dhe t’i sigurojë shkollat brenda 24 orëve ndërsa paaftësinë të mos e maskojë me deklaratat se jemi në luftë hibride. E thërras Ministrin e Arsimit dhe Shkencës që urgjentisht të gjejë mënyrë për kompensimin e mësimit të humbur derisa ka edhe pak kohë.”- tha Vesna Janevska, VMRO-DPMNE.

Nga MPB njoftojnë se janë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme nga ana e ekipeve antiterroriste në lidhje me mesazhet e dërguara me përmbajtje kërcënuese për bomba të vendosura në 30 shkolla në Shkup dhe u konstatua se bëhet fjalë për denoncime të rrejshme.