Ligji i ri për ndërtim përjashton çfarëdo mundësie të legalizimit të objekteve pa leje në zonat e mbrojtura rreptësishtë.
Kësisoj është rasti në bregun e Ohrit, ndërkaq në Kodrën e Diellit dhe në Matkë, do të mund të legalizohen vetëm objektet jashtë kufirit të sigurimit.
Me këtë ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski ka hedhur poshtë pretendimet se ligji i ri për ndërtim është makijazh i ligjit paraprak që nuk u dekretua nga president i shtetit Stevo Pendarovski.
“Sa i takon zonave dhe rajoneve të mbrojtura – të gjitha objektet që janë në mbrojtje të rreptë dhe për menaxhim aktiv, nuk mund të jenë lëndë e legalizimit. Kjo do të thotë se të gjitha zonat dhe rajonet e mbrojtura në mënyrë të rreptë në Maqedoninë e Veriut, janë jashtë këtij ligji. Për zonat e tjera – siç është zona për shfrytëzim zhvillimor për shembull, për zonë të tillë sigurisht se mund të sillet kërkesë për legalizim, por duhet të merret leje shtesë edhe nga Ministria për Mjedis Jetësor për këtë objekt. Aspak nuk paraqet makijazh, pasi gjithçka që është kërkuar tashmë është integruar në tekstin ligjor”, tha Boçvarski, transmeton TV21.






