Nuhiu: Lëndët për shkeljen e orës policore, në procedurë

Që nga shpallja e orës policore gjithsej 391 qytetarë nuk e kanë respektuar këtë masë të Qeverisë, përfshirë këtu edhe mbi 60 raste të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit. Nga rastet e fundit, 11 prej shkelësve janë minoren dhe 6 të moshës mbi 67 vjeç. Zëvendësministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, thotë se duke pasur parasysh që masa është shpallur vetëm para pak ditësh, numri i përgjithshëm i shkelësve të të njëjtës është i lartë. Caktimi i një regjimi të caktuar të orës policore në bazë të grup moshës, ka për qëllim të kufizojë sa më shumë lëvizjen e të rinjve të cilët mund të jenë të infektuar me COVID-19 edhe pse mund të mos kenë simptoma dhe të moshuarve nga ana tjetër të cilët janë kategoria më e rrezikuar. Për të gjithë shkelësit e masës tashmë lëndët tashmë janë në procedim e sipër.

Për personat që janë deri në moshën 18 vjeçare, sigurisht që edhe ata do të kenë përgjegjësi kundërvajtëse. Ekziston edhe e ashtuquajtura përgjegjësia solidare, edhe e prindërve të tyre, për shkak të pakujdesisë prindërore. Është procedurë kundërvajtëse që parashihe dënim me gjobë. Është neni 205 i Kodit Penal që përcakton inkriminimin e veprimeve që çojnë deri tek përhapja e sëmundjes ngjitëse dhe në bazë të këtij neni parashihet dënim me burg prej 1 deri në 3 vjet. Kurse neni tjetër, 206, që parasheh mos respektim të urdhrave të organeve shtetërore. Këtu dënimi është prej 2500 euro deri një vit burg. Vështirësi kemi hasur edhe në Manastir, Veles, Prilep, Strumicë ku ka më shumë shkelës të orës policore.”-pohoi Agim Nuhiu, ministër i Brendshëm.

Në shumicën e rasteve qytetarët që shkelin orën policore, refuzojnë t’u binden autoriteteve, duke shfaqur vet besim që ata nuk do të preken nga virusi. Ndërkohë punonjësit e MPB monitorojnë gjatë tërë kohës 8 objektet hotelerie, prona juridiko-private, të cilat shteti i ka shndërruar në karantinë për 322 qytetarët që duhet të qëndrojnë në izolim te detyruar. Të njëjtët i nënshtrohen një regjimi të rreptë rreth mënyrës së funksionimit. Duke qenë se numri i personave që ndodhen në vet izolim ka mbërritur në 10 mijë, policia përballet me vështirësi kur bëhet fjalë për monitorimin e tyre. Deri tani 149 qytetarë nuk e kanë respektuar masën për vet izolim. Të dhënat flasin për rreth 900 hyrje dalje nga dhe në territorin e Maqedonisë pas vendimit për mbyllje të kufijve. Nuhiu thotë se në këtë shifër përfshihen kamionët e mallrave./Alsat