Norvegjia do të zvogëlojë prodhimin e naftës këtë vit për të ndihmuar në ngritjen e çmimeve, ka bërë të ditur Ministria e Naftës dhe Energjisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vendi nordik do të ulë prodhimin në 250.000 fuçi në ditë në qershor dhe në 134.000 fuçi në gjysmën e dytë të vitit.
Përveç kësaj, fillimi i prodhimit në disa fusha të naftës do të vonohet deri në vitin 2021.
Si pasojë, prodhimi i përgjithshëm i Norvegjisë në dhjetor 2020 do të jetë më i ulët për 300.000 fuçi në ditë nga sa ishte planifikuar fillimisht.
“Ne aktualisht po përballemi me një situatë të paparë në tregun e naftës. Prodhuesit dhe konsumatorët përfitojnë nga një treg i qëndrueshëm. Ne kemi thënë më parë se do të konsiderojmë një ulje të prodhimit norvegjez nëse disa vende prodhuese të mëdha zbatojnë shkurtime të konsiderueshme. Vendimi i qeverisë norvegjeze për të ulur prodhimin e naftës është bërë mbi baza të pavarura dhe duke pasur parasysh interesat norvegjeze”, njoftoi Ministrja e Naftës dhe Energjisë, Tina Bru.
Ajo theksoi se shkurtimi i prodhimit do të përfshijë fushat e naftës në shelfin kontinental norvegjes dhe do të shpërndahet në mënyrë të drejtë në fushat dhe në kompanitë.
“Kjo do të nënkuptojë një kufizim të prodhimit për ato ndërmarrje të naftës që kanë aksione pronësie në fushat përkatëse të naftës. Fushat e gazit janë të përjashtuara. Kështu, shkurtimi nuk do të ndikojë në prodhimin e gazit norvegjez ose eksportet e gazit norvegjez”, shtoi Bru.