Sulmuesi i Leipzig, Chrisopher Nkunku ka folur në lidhje me të ardhmen e tij.
Nkunku ka kaluar në një periudhë mjaft të mirë këtë sezon, andaj shumë ekipe kanë shfaqur interesim për transferimin e tij.
Ai ka kontratë me Leipzig deri në vitin 2024, por transferimi në një klub më të madh mund të jetë objektivi i francezit.
Interesimi i disa ekipeve drejt tij, ka bërë që ai të flasë në lidhje me të ardhmen, transmeton lajmi.net.
“Parisi është shtëpia ime, klubi im i preferuar. Unë nuk mbyll asnjë derë. Gjithçka është e mundur në futboll.
Është bukur që klubet më të mëdha në botë të interesohen për mua. Por është gjithashtu e mrekullueshme të shohësh se Leipzig po bën gjithçka për të më mbajtur mua”, ishin fjalët e francezit.
Chelsea, Real Madrid, Manchester United, Bayern Munich janë vetëm disa nga ekipet që kanë shfaqur interesim drejt 24 vjeçarit.



