Një zjarrfikës më lehtë është lënduar në Tetovë gjatë shuarjes së zjarrit ditën e djeshme, ndërsa njësia e zjarrfikësve është dashur të intervenojë në dhjetëra vende në periudhën prej orës 08:00 deri në 03:00 herët në mëngjes.
“Dje kemi pasur zjarr në Qendrën Sportive në Tetovë ku ishte lënduar zjarrfikësi. Përveç atje në vend të hapur patëm zjarre në hyrje të Bërvenicës, Zherovjanë në deponi të egër në Çellopek në një shtëpi dhe në autostradën Tetovë-Shkup në një automjet. Arsye janë temperaturat e larta dhe joserioziteti i qytetarëve të cilët ndezin zjarr në hapësirë të hapur, informon Uka Aliti, komandant i NJZT.
Në SPB Tetovë gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, duke e përfshirë edhe ditën e sotme, 24 qershor numri i zjarreve të paraqitura në këtë rajon arrin 54 në hapësirë të hapur, në fusha, pjesë malore dhe vende tjera.
“Në dy prej tyre janë regjistruar dy viktima njerëz, njëri nga Gostivari dhe një nga Tetova. Gati në të gjitha zjarret, sërish, është shkaktuar dëm i madh material. Sektori për Punë të Brendshme Tetovë apelon deri te qytetarët të jenë të kujdesshëm nëse lëvizin apo punojnë në fusha dhe pyje dhe të mos i djegin mbeturinat”, theksoi Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-së Tetovë.
Nga policia përkujtojnë se shkaktimi i zjarreve pyjore me qëllim ose nga pakujdesia paraqet vepër penale, e cila sanksionohet me padi adekuate dhe për të cilën është parashikuar dënim me burg deri në 8 vjet (neni 227 i Kodit penal), varësisht llojit të zjarrit dhe rrethanave e pasojave tjera.
Vitin e kaluar 2020 në rajonin e SPB-së Tetovë gjithsej janë paraqitur 112 zjarre, më së shumti në periudhën verore.





