Zbatim i zbehtë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve edhe një vit pas hyrjes në fuqi të të njëjtit, vërehet jo vetëm tek institucionet ku drejtuesit janë të nacionaliteti maqedonas, por edhe atje ku drejtuesit janë shqiptarë, ndërsa tek mbi 90 % e institucioneve gjuha shqipe respektohet pak ose aspak. Kjo u tha sot në konferencën për shtyp të Agjencisë për zbatimin e këtij ligji.
Agjencia për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në një vjetorin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, publikoi “Udhëzues për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”.
Drejtori i Agjencisë, Ylber Sela, tha se janë shtypur rreth 4 mijë udhëzues të tillë, në tre gjuhë dhe të njëjtët tashmë janë shpërndarë nëpër institucionet në vend. Pjesë e këtij udhëzuesi është edhe një formular që mund të plotësojnë qytetarët nëse kanë ndonjë ankesë rreth mos respektimit të kësaj të drejte të garantuar me ligj. Formulari në fjalë më pas do të përcillet tek Inspektorati, i cili, sipas asaj që parashikohet në ligj, duhet të kishte filluar me inspektimin e institucioneve, por diçka të tillë nuk mund ta bëjë, sepse ka vetëm drejtor. Në Mars Agjencia do të dorëzojë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut edhe raportin për punën e deritanishme.