Të gjithë presidentët modernë kanë synuar të zgjerojnë pushtetin e tyre, por këtë vit Trumpi e ka rritur fuqinë ekzekutive me një ritëm të rrallë, thonë historianët dhe analistët. Ai e ka bërë këtë përmes urdhrave ekzekutivë dhe shpalljeve të gjendjes së emergjencës që kanë zhvendosur vendimmarrjen nga Kongresi drejt Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, shënon të martën vitin e tij të parë të rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, pas një vale vendimesh politike tronditëse që kanë zgjeruar pushtetin presidencial dhe kanë riformësuar marrëdhëniet e Amerikës me botën.
Teksa hyn në vitin e tij të dytë, ai duket gjithnjë e më pak i kufizuar, duke ndjekur politika që kanë thelluar ndarjet brenda vendit.
Në javët e fundit, Trumpi urdhëroi një goditje më agresive federale ndaj emigracionit të paligjshëm në Minesota, e cila çoi në vrasjen me armë zjarri të një gruaje të paarmatosur nga një agjent federal, mbikëqyri një sulm të guximshëm ushtarak në Venezuelë për të kapur presidentin e saj, Nicolas Maduro, ringjalli planin e tij të diskutueshëm për të marrë nën kontroll Grenlandën, kërcënoi të bombardonte Iranin, dhe shpërfilli shqetësimet lidhur me një hetim penal ndaj kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell.
“Nuk më intereson”, i tha Trumpi Reutersit në një intervistë në Zyrën Ovale javën e kaluar, kur u pyet për pasojat e mundshme ekonomike të hetimit ndaj Powell. Duke folur për “The New York Times” më 7 janar, Trumpi tha se i vetmi kontroll ndaj tij si komandant i përgjithshëm për të nisur sulme ushtarake jashtë vendit ishte “moraliteti im”.
Të marra së bashku, komentet e Trumpit theksojnë një pikëpamje për presidencën sipas së cilës ai kufizohet kryesisht nga gjykimi i tij personal, e jo nga frenat institucionalë.
Anna Kelly, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, tha se instinkti i parë i Trumpit është diplomacia dhe se ai i merr të gjitha vendimet me kujdes. Por ajo shtoi se ai i mban të gjitha opsionet hapur, kështu edhe vendosi të dërgonte ushtrinë amerikane në Venezuelë për të kapur Maduron, si dhe të bombardonte tri objekte bërthamore iraniane vitin e kaluar, “pasi në të dyja rastet dështuan të negociojnë seriozisht”.
Kur Trumpi u kthye fitues në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar 2025 për një mandat të dytë, ai u zotua të riformësonte ekonominë, burokracinë federale, politikën e emigracionit dhe një pjesë të madhe të jetës kulturore amerikane. Ai ka realizuar një pjesë të madhe të kësaj agjende, duke u bërë një nga presidentët më të fuqishëm në historinë moderne të SHBA-së.
Si të gjithë presidentët amerikanë që nuk mund të kërkojnë një mandat tjetër, Trumpi përballet me zbehjen pothuajse të pashmangshme të pushtetit në vitin e tij të dytë. Ai mbetet një figurë thellësisht jopopullore pasi një numër gjithnjë e më i madh amerikanësh janë të pakënaqur me mënyrën se si ai po e menaxhon ekonominë dhe kanë shqetësime për prioritetet e tij. Megjithatë, opinionet janë thellësisht të polarizuara dhe ai ende gëzon mbështetje të konsiderueshme nga baza e tij.
Vlerësimi i miratimit të Trumpit qëndron në 41% sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos të zhvilluar javën e kaluar, teksa 58% e të rriturve amerikanë e kundërshtojnë performancën e tij. Ky nivel është i ulët për presidentët amerikanë në përgjithësi, por jo më i ulëti i mandatit të dytë të Trumpit.
Udhëheqësit evropianë mbajtën një takim emergjent të dielën pasi presidenti amerikan kërcënoi me tarifa të reja gjithëpërfshirëse ndaj disa aleatëve të NATO-s.
“Shpërfillja totale e Trumpit ndaj sundimit të ligjit ose kontrolleve dhe balancave bazë, i ka bërë amerikanët më pak të sigurt në të gjitha aspektet”, tha strategu demokrat Alex Floyd, duke shtuar se votuesit mund t’i ndëshkojnë republikanët për atë që ai e përshkroi si “sjellje të paligjshme”.
Në intervistën e tij për Reuters, Trumpi pranoi se republikanët rrezikonin të humbnin kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e nëntorit, duke thënë se historia nuk favorizon partinë e presidentit në zgjedhjet afatmesme. Më herët, ai u kishte thënë ligjvënësve republikanë të luftonin për të ruajtur kontrollin e Kongresit, ose një shumicë e re demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve do ta shkarkonte për herë të tretë.
Kur u pyet nga Reuters për shqetësimet e amerikanëve lidhur me çmimet e larta, çështja kryesore për votuesit përpara zgjedhjeve, Trumpi përsëriti pretendimin e tij se ekonomia ishte “më e forta” në histori, pavarësisht të dhënave që tregojnë inflacion qëndrueshëm të lartë.
Në javët e fundit, Trumpi është përpjekur të adresojë shqetësimet për koston e jetesës në fjalime dhe përmes veprimeve të tjera, por e ka komplikuar këtë përpjekje duke e quajtur njëkohësisht çështjen e përballueshmërisë një “mashtrim” demokrat.
Presidenti më i fuqishëm që nga 1930-a
Në vitin e tij të parë pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ka ulur numrin e fuqisë punëtore civile-federale, ka çmontuar dhe mbyllur agjenci qeveritare, ka shkurtuar ndihmën humanitare për vendet e huaja, ka urdhëruar bastisje dhe dëbime të gjera ndaj emigrantëve, dhe ka dërguar trupa të Gardës Kombëtare në qytete të drejtuara nga demokratët.
Ai gjithashtu ka nxitur luftëra tregtare duke vendosur tarifa mbi mallrat nga shumica e vendeve, ka miratuar një ligj masiv për ulje taksash dhe shkurtime shpenzimesh, ka ndjekur penalisht armiq politikë, ka anuluar ose kufizuar qasjen në disa vaksina dhe ka sulmuar universitete, firma ligjore dhe media.
Pavarësisht se premtoi t’i jepte fund luftës së Rusisë në Ukrainë që në ditën e parë në detyrë, Trumpi ka bërë pak përparim drejt një marrëveshjeje paqeje, ndërkohë që vazhdimisht pohon se ka ndalur tetë luftëra, një pretendim i kundërshtuar gjerësisht për shkak të konflikteve të vazhdueshme në disa prej këtyre zonave.
Të gjithë presidentët modernë kanë synuar të zgjerojnë pushtetin e tyre, por këtë vit Trumpi e ka rritur fuqinë ekzekutive me një ritëm të rrallë, thonë historianët dhe analistët. Ai e ka bërë këtë përmes urdhrave ekzekutivë dhe shpalljeve të gjendjes së emergjencës që kanë zhvendosur vendimmarrjen nga Kongresi drejt Shtëpisë së Bardhë.
Shumica konservatore në Gjykatën e Lartë të SHBA-së është rreshtuar kryesisht në anën e Trumpit, dhe Kongresi i kontrolluar nga republikanët ka bërë pak për ta penguar. Dhe ndryshe nga mandati i tij i parë, Trumpi ka kontroll të plotë mbi kabinetin e tij, i cili është i mbushur me njerëz besnikë të tij.
Timothy Naftali, historian i presidencës, tha se Trumpi ka ushtruar pushtet me më pak kufizime në mandatin e tij të dytë se çdo president, që nga Franklin Roosevelt.
Në vitet e para të qëndrimit të Rooseveltit në Shtëpinë e Bardhë (1933–1945), presidenti demokrat gëzonte shumicë të madhe në Kongres, i cili miratoi pjesën më të madhe të agjendës së tij të brendshme për zgjerimin e qeverisë, me pak rezistencë.
Ai gjithashtu kishte mbështetje të konsiderueshme publike për përpjekjet për të përballuar “Depresionin e Madh” (një rënie e rëndë ekonomike globale nga viti 1929 deri në vitin 1939. Periudha u karakterizua me shkallë të lartë papunësie dhe varfërie, ulje drastike të prodhimit industrial dhe tregtisë ndërkombëtare, si dhe falimentime të të bankave dhe bizneseve në të gjithë botën) dhe përballej me një opozitë republikane të përçarë.
Analistët dhe strategët e partive thonë se vështirësia e Trumpit për t’i bindur votuesit se ai i kupton përpjekjet e tyre përballë kostove të larta të jetesës, mund t’i shtyjë disa ligjvënës republikanë të distancohen, në përpjekje për të mbrojtur vendet e tyre në nëntor.
Ndihmësit thonë se Trumpi do të udhëtojë shpesh këtë vit për të promovuar agjendën e tij ekonomike dhe për të bindur votuesit se ka një plan për të ulur çmimet e larta, edhe pse ai vetë nuk është në fletën e votimit në nëntor.
Por fjalimet e tij ekonomike në javët e fundit kanë qenë shpesh të çrregullta dhe pa fokus, dhe ai ka vazhduar të përqendrojë një pjesë të madhe të vëmendjes së tij në çështjet e politikës së jashtme, një mungesë disipline në mesazhin që përçon, gjë që shqetëson disa strategë dhe kandidatë republikanë.



