Një vit luftë në Ukrainë, Rama flet nga Hiroshima: Të luash sot me fjalën bombë atomike është turp i civilizimit tonë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë një mesazh sot në njëvjetorin e fillimit të luftës në Ukrainë.

Nga Hiroshima e Japonisë, Rama u shpreh se shumë menduan se pushtimi rus i Ukrainës do të ishte çështje ditësh, por në fakt nuk ndodhi kështu.

Rama e cilësoi heroike rezistencën e popullit të Ukrainës, nën lidershipin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ndër të tjera, Rama nënvizoi se tanimë po bëhet edhe më e qartë se Rusia nuk mund ta fitojë luftën.

“Ishin të shumtë ata që menduan se pushtimi rus i Ukrainës do të ishte çështje ditësh, por ja ku jemi këtu sot, 1 vit rezistencë heroike e popullit të Ukrainës nën lidershipin guximtar dhe të hekurt të presidentit Zelensky me mbështetjen e botës demokratike dhe tanimë është e qartë për të gjithë se Rusia nuk mund ta fitojë luftën”, tha Rama.

“Dëshiroj të shtoj që kam nderin ta bëj këtë mesazh këtu nga Hiroshima pas një momenti të gjatë dhe jashtëzakonisht të veçantë nderimi në memorialin e të zhdukurve nga goditja e bombës atomike dhe pastaj në muzeun e tmerreve të bombës atomike”, shtoi ai.

“Shtoj që të luash sot me fjalën bombë atomike sikur flet për kukulla është vërtet një turp i civilizimit tonë dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme mbështetjen për Ukrainën, aleancën e të gjitha vendeve demokratike dhe mbi të gjitha vendosmërinë e secilit që ka respekt për lirinë, vlerat e demokracisë në mënyrë që e shkuara të mbetet e shkuar dhe çdo përpjekje të dështojë”, ishte mesazhi i kreut të qeverisë.