Një tjetër ndeshje dhe një tjetër rekord, Mbappe lë pas legjendën franceze

Kylian Mbappe është njeriu i rekordeve dhe këtë e bën si kur vesh fanellën e kombëtares së Francës ashtu edhe me atë të Paris Saint-Germain. Megjithatë, në këtë rast rekordi më i fundit i sulmuesit lidhet si me Francën ashtu edhe me PSG.

Kjo sepse pas golit që i dhuroi Francës fitoren ndaj Greqisë në kualifikueset e Euro 2024, Kylian Mbappe mbërriti në shifrën e 54 golave sezonalë. Në këtë formë, 24-vjeçari bëhet francezi i parë në histori që arrin një shifër të tillë brenda një sezoni futbollistik duke lënë pas një legjendë si Just Fontaine i cili nuk mundi të shkonte përtej shifrës së 53 golave në sezonin 1957-58, aty ku vendosi edhe rekordin me 13 gola të shënuar përgjatë një Botërori.

Sigurisht pjesën më të madhe të golave, Mbappe i ka realizuar me fanellën e parizienëve, saktësisht 29 në Ligue 1, shtatë në Champions League dhe pesë në Kupën e Francës (brenda një ndeshje të vetme) ndërsa me Francën ka realizuar në 13 raste.

Aktualisht, Mbappe është në po të njëjtën kuotë golash me Erling Haaland (54), me sulmuesin e Manchester City që ka edhe një ndeshje të fundit para se të marrë pushimet teksa zbret në fushë me kombëtaren e Norvegjisë në ndeshjen kualifikuese të Euro 2024 ndaj Qipros.