Një shqiptar, kandidat për tu zgjedhur deputet në Parlamentin e Hamburgut

Integrimi në Europë, një objektiv parësor i politikës shqiptare dhe dëshira e interesi i pjesës dërmuese të popullatës te vendit tonë, është dhe mbetet një kurs i përgjithëshëm dhe i pakthyeshëm, pavarësisht ecurive të ngadalta e me lëkundje në probleme e momente të veçanta. Integrimi, siç del dhe nga faktet, është një proçes i komplikuar ku mpleksen probleme ekonomike, poltike e sociale të cilëve u duhet dhënë zgjidhje, jo vetëm nga vendi ynë, por edhe ne vendet drejt të cilave synohet të ketë lëvizje të konsiderueshme demografike.

Një hap konkret që duhet njohur, na e jep shëmbulli i qytetit metropol të Gjermanisë, Hamburgu. Nuk po ndalem në statistikat e treguesat e këtij qyteti, të cilat janë të pakrahasueshme, si për numurin e banorëve, prodhimin industrial, vëllimin e transportit ujor, hekurudhor, urban, interurban, etj. Qyteti dhe rrethinat që përfshihen në të ka parlamentin e vet, qeverine e vet, brenda Republikës, buxhetin e vet, etj. Në këtë formë është kombinuar drejtimi e organizimi i pushtetit lokal me atë kombëtar, pa prekur problemet e interesat jetike të vendit. Nga ana tjetër, në këtë mënyrë është zhvilluar inisiativa e vetveprimi i pushtetit lokal, duke çliruar energji të mëdha në dobi të komunitetit dhe të ekonomisë. Me theks në këtë shkrim do të ndalem në zgjedhjet lokale që zhvillohen ne Hamburg, në Shkurt 2020 dhe disa dukuri që flasin për një demokratizim e zhvillim sa më të mirë të tyre.

Shkas për këtë shkrim u bë edhe një fakt tjetër. Në listën për zgjedhjet kombëtare që do të zhvillohen në Hamburg më datën 23 Shkurt 2020, ka bërë publike pjesmarrjen e tij në listën e kandidatëve dhe shqiptari Sami Musa. Partia ku bën pjesë Samiu, Partia Socialdemokrate e Gjermanise (Social Democratic Party of Germany), e ka aprovuar me unanimitet atë si kandidatin për deputet në Parlamentin e Hamburgut.

Cili është Sami Musa? Samiu ende nuk ka mbushur moshën 35 vjec. Ne moshë riniore është aktivizuar dhe afirmuar si një drejtues i aftë me njësitë organizative të rinisë. Ai ka punuar me këmbëngulje e durim, me argumenta e fakte në vazhdimësi dhe ka fituar besimin e të rinjve e të rejave. Nuk ka aktivitet me karakter masiv ku Samiu te mos ketë marrë pjesë. Ai këtë vit ishte dhe kandidat në Kuvendin Komunal të Hamburgut dalë nga zgjedhjet lokale të 26 Majit. Ai ka qene 5 vite Deputet i Kuvendit Komunal te Hamburgut.

Samiu ka qënë futbollist i talentuar, dhe president për shumë vite me skuadrën lokale të futbollit “FC MUSA 97”. Ka kryer arsimin e lartë për hoteleri e turizëm, etj. Marrja me veprimtari shoqërore dhe politike atij i është kthyer në një domosdoshmëri. Në listën e shokëve në fb, Samiu numuron 770 persona, shumica e te cileve janë shqiptarë. Nuk rreshtin komunikimet e urimet në çdo rast në adresë të tij. Partia që e kandidon e ka të qartë se e ardhmja i takon brezit të ri, rinisë. Edukata e qëndrushme me sens të lartë patriotik në familje ka bërë që ai të ketë qëndrim të qartë dhe mentalitet bashkëkohor për të gjitha sfidat që e presin. Babai i Samiut, Xhelil Musa i ardhur para 50 vitesh në Hamburg me familjen e tij, ka ndikuar fuqishëm te djemtë. Xhelili kujton se në fillimet e emigracionit në Gjermani shqiptarët janë përballur me shumë probleme. Ndikim e ndihmë të veçantë në këtë proçes ka dhënë veçanërisht ish deputetja e Parlamentit të Hamburgut, Frau Ëeeis. Ne ate kohe shqiptarët u ndjenë më të sigurtë, më të qetë, se kishin një mbrojtëse në organet e larta të pushtetit. Në konceptin e Xhelilit nuk ka shumë rëndësi se prej cilit shtet janë shqiptaret, Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo Kosova. Ata janë shqiptarë. Në Hamburg e rrethinat e tij jetojnë e punojnë mbi 20 mijë shqiptarë, nga të cilët mbi 9 mijë janë me nënshtetësi gjermane. Ata çdo ditë e më shumë rrisin nivelin e tyre profesional në punë, në njohjen e gjuhës gjermane, në shkollimin e fëmijëve e zbatimin e ligjit i cili për shtetin e popullin gjerman është i shenjtë. Në këtë proçes shqiptarët ndeshen me probleme që janë shtruar për zgjidhje.

Fëmijët dhe në përgjithësi brezi i ri po punon me intensitet për shkollimin e njohjen e mirë të gjuhës gjermane. Në këtë proçes ndihma dhe ndikimi i shtetit është i lartë dhe vendimtar. Ndërsa punohet me gjuhën gjermane, përsa i përket gjuhës shqipe fëmijët shumë pak e njohin me shkrim e lexim. Arsyeja eshte se ketu nuk funksionojnë shkollat në gjuhën shqipe. Hapja e këtyre shkollave dhe në këtë qytet, është një nga sfidat që do të përballet dhe deputeti i ardhëshëm i Parlamentit të Hamburgut, Sami Musa.

Të gjithë shqiptarët që punojnë e jetojnë në Hamburg e kanë të nevojshme dhe do të thoshim të domosdoshme përdorimin e makinave, për vetë natyrën e punëve, madhësisë së shtrirjes të qytetit dhe shërbimeve të nevojshme për të kursyer kohën.Për patentën e drejtimit të makinës ende nuk ka një marreveshje midis dy shteteve për njohjen reciproke të patentave. Kjo ka bërë që në Gjermani është vënë si kusht dhënia e provave për tu pajisur me patentë gjermane. Dhënie e provave në Gjermani për tu pajisur me patentë, mjaft shqiptarë i pengon gjuha gjermane të cilën disa nuk e kanë përvetësuar në atë shkallë sa të japin provat me saktësi. Mjaft prej tyre disponojnë patentën shqiptare dhe janë të aftë të drejtojnë automjete. Dhe kjo është një nga sfidat që e pret për zgjidhje politikanin e ri.

Komuniteti shqiptar, relativisht i madh në këtë qytet metropol, veç këtyre ndeshet dhe me probleme të tjera, si lidhja e kontratave të punës, të banimit, rujtjes së rendit e zbatimit të përpiktë të ligjeve. Samiu, duke bashkëpunuar me strukturat e shtetit, ka njohjen e nevojshme në vazhdimësi për çdo problem e shfaqje që janë në kundrshtim me zhvillimin shoqëror e ligjor. Samiu punon e do te punoje ne vazhdimesi për forcimin e unitetit të shqiptarëve, dhe emancipimit të tyre në kushtet e reja, me synim integrimin në këtë vend.

Familja e Xhelil Musa dhe djali i tij Samiu, janë të njohur në qytetin e Hamburgut si njerez të cilët rrezatojnë mirësi e kujdesen shumë për bashkëkombasit. Në bisnesin e tyre punojnë kyesisht shqiptarë. Rekomandojnë e propozojnë në firma e bisnesmenë gjermanë njerezit që kanë nevojë për punë si dhe ndjekin ecurinë e tyre. Ata ndjekin brenda dhe jashtë vendit hallet, gëzimet e hidhërimet e njerëzve pa i kthyer shpinën vendlindjes. Jo rrallë, shqiptaret përfshi dhe futbollistët e kombëtares shqiptare, kanë qendruar me ditë të tëra në hotelin e tyre, duke ju krijuar kushtet më të mira.

Shteti gjerman, ashtu siç interesohet për ecurine e punës të emigrantëve, marredhënieve të tyre finanaciare e të ndërsjellta e gjendjen e tyre shëndetësore, po ashtu interesohet dhe për integrimin e tyre në Europë. Komuniteti shqiptar që punon e jeton në Hamburg, e vlerëson interesimin dhe kujdesin e vecante te qeverise gjermane per te gjitha problemet e tyre si dhe per integrimin e Shqiperise ne Europe.

Përfaqësimi i shqiptarëve ne parlamentin gjerman nga një deputet shqiptar, i cili do te zgjidhe problemet e do te mbroje interesat e tyre, është një emancipim dhe demokratizim i mëtejshëm i pushtetit lokal ne Gjermani. Pervojen pozitive te aktivizimit te fuqishëm në problemet politike te te rinjeve e te rejave shqiptare dhe jo vetem, qe dallohen ne te gjtha drejtimet ketu ne Hamburg e me gjere, duhet ta konsideroje edhe vendi yne.