Nga Ilir Kulla
Një shpjegim i detyruar për Dritan Goxhajn. Do ta nis nga njohja me Tanin. Gjatë luftës së Kosovës dikur nga marsi i 1999 më takoi të takohesha me Sabitin (Gecin), i cili përtej emrit që kishte si bashkvendës dhe bashkëluftëtar i Adem Jasharit, kishte edhe emrin e një njeriu të ashpër që sidomos një pjesë e atyre afër LDK-se e kishin shumë frikë, me të drejtë ndoshta. Sabiti kishte qenë me paterica se ishte i plagosur dhe unë mendova se do kishte disa njerëz që do e shoqëronin, në fakt ishte vetëm, një djalë i ri, i vogël, i hollë që e shoqëronte, ai ishte ky, Dritani i sotshëm. Në atë moment nuk e njoha vetëm se kuptova që ishte nga Shqipëria. Disa ditë më vonë po flisja me Rramush Tahirin (i ndjeri) ish-zv.kryeministrin e Kosovës, i cili me kujtoi që Dritani ishte ai piloti ushtarak i vogël që bashkë me pilotin tjetër, të ndjerin Sallaku, na kishte transportuar në Spitalin Ushtarak (zv.drejtor ishte Presidenti i sotshëm Begaj) në Tiranë kur ishte plagosur gazetari francez dhe sheshin ku do ulej helikopteri e kishte hapur dhe garantuar me kallash në dorë i ndjeri Fatmir Haklaj së bashku me Ferizin Kernajën. Më vonë u informova dhe mora vesh që Tan piloti ushtarak ishte djali i njërit nga pedagoget tanë në shkollën ushtarake, Dilaver Goxhajt, i cili kishte shkuar në Kosovë dhe ishte bërë zëvendësi i Shefit të Shtabit Bislim Zyrapi dhe bashkë me të kishin shkuar dhe disa oficerë të tjerë.
Dritani kur kishte lënë aviacionin ushtarak dhe kishte shkuar në UÇK, kishte marrë me vete dhe 3 oficerë të rinj, shokë të vetët dhe piloti ushtarak, mosha bën të vetën, ishin të rinj, lufta e kishte çuar adrenalinën patriotike në maksimum kudo që kishte shqiptarë. Përfundon lufta, qeveria e përkohshme vendoset në Prishtinë. Azem Syla, komandanti i përgjithshëm i UÇK bëhet ministër i Mbrojtjes së qeverisë së përkohshme me Kryeministër Hashim Thaçin. Daja (Azemi) ministri nga Drenica kishte marrë këshilltarë 2 ushtarakë nga Shqipëria, Dilaver Goxhajn dhe Spiro Butkën, që kishin qenë në UÇK. Për këtë arsye familja e vogël e Dilaverit, bashkëshortja ushtarake edhe ajo, dhe motra Rezi, studente IT, vendosen në Prishtinë. Ritakohem disa herë me Dritanin dhe disa nga shokët e tij të UÇK-së nga Kosova dhe Shqipëria e për biseda të lira politike, pro asgjë më shumë. Fillon lufta në Preshevë, unë punoja për agjencinë ANSA në Kosove dhe shef kisha Carlo Bollinon, i cili më thotë duhet se s’bën të shkojmë e të bëjmë një reportazh në luftën e UCPMB-se. Po i thashë, u lidha me dikë që më tha që 2 nga komandantët i njihja mirë, Tan Goxhajn dhe Agron Haradinajn, ndjestë pastë, vëllain e Nasimit. Epo thashë si rrihet këtij, do ta vrasin andej thashë, djalë i vetëm. Nejse, nisemi me Carlon kalojmë kufirin, ku ushtarët amerikanë ulërisnin ku po shkoni, kush jeni etj., etj… diku na ndalon një njësi e UCPMB-se, ishte Dritan Zheqi, shoku i Tan Goxhajt, i cili ishte pak më andej dhe Agroni, të cilët më njohën dhe ia bën me dorë lëri të largohen pasi më njihnin mirë. Me të drejtë, Dritani kishte inat me Shqipërinë në atë kohë, pasi qeveria shqiptare me Metën kryeministër dhe Hajdaragën ministër i kishin përzënë nga ushtria oficerët shqiptarë sepse kishin braktisur ushtrinë dhe kishin shkuar në UÇK.
Mbaron lufta në Preshevë dhe Qeveria e Përkohshme në Kosovë ishte tërhequr, tashmë ishte qeveria e UNMIK dhe familja Goxhaj ishte kthyer në Tiranë, në shtëpinë e tyre, në Rrugën Bardhyl, ish-ushtarakë të papune. Dritani rrinte në Prishtine dhe një ditë të bukur kthehet në Tiranë dhe del lajmi se policia e Tiranës kishte arrestuar një terrorist nga Kosova. Bollino dhe Çani më thonë mua në redaksi shko ti dhe Artan Hoxha se ti njeh Kosovën e Tani policinë, Tropojën, ç’të shoh te Drejtoria e Tiranës “terroristi” ishte Tani. Sokol Bizhga e kishte ndaluar se “letrat” ia kishte bërë Sokol Bare, ish-zv.drejtor i SHISH në atë kohë ish-oficer policie edhe ai. Unë që i njihja intrigat e Kosovës thashë do jetë përzier në ndonjë konflikt të brendshëm post-UÇK ne Kosove (se në atë kohë kishte shumë) dhe i paskan bërë ndonjë intrigë. Policia manipulon median e Tiranës dhe të nesërmen Tani ishte në burg dhe “terrorist” i rrezikshëm në atë kohë, i lidhur me Al Kaedën se Irani s’ishte në modë. Policia jonë kishte thirrur madje dhe oficerët e Ambasadës USA për t’u treguar trofeun terrorist, ata e panë, e njohin, qeshin, largohen duke u thënë qe ky mund të ketë lidhje me gjithçka, por jo me terrorizmin. Takoj babain e vet, Dilaverin, për 1 kafe, i mërzitur më thotë këtu këta të Berishës na persekutuan si me qenë serbë se ne jemi nga jugu e ju socialistet më tha na persekutoni se ne jemi lebër, se jeni lidhur me grekët, helbete kryetar ishte Fatos Nano dhe kryeministër një malësor jugu, se Dilaveri që ishte nga Golemi i Gjirokastrës, Ilir Meta nga maja e Cepanit në Skrapar. Nejse, një vit më vonë, Tani, që ishte arrestuar me shumë bujë, lirohet pa bujë farë. I kishin rënë të gjitha akuzat dhe si t’ia bënin, e dënojnë se kishte braktisur ushtrinë si oficer i aviacionit dhe kishte shkuar në UÇK. Natyrisht, i mërzitur më 2002, bashkë me familjen shkojnë në Prishtinë, ku disa ishbashkëluftëtare i ndihmojnë ekonomikisht me shtëpi e punë e mbijetojnë.
Rezarta mbaron studimet në Prishtinë. Më 2005, ne socialistët kishim dalë në opozitë dhe familja Goxhaj ishte kthyer në Tirane. Tani bashke me ta si njeri asket me pak pretendime hante buke një herë në ditë, me shumë pak shokë dilte pak dhe një ndër ata që e merrte më shumë të dilte isha unë dhe rrinte me mua kur kisha kohë. Më thotë më ndihmon dot se jemi të gjithë pa punë, motra ka mbaruar shkëlqyeshëm inxhinierinë dhe nuk ma marrin në punë. E marr në veturë, shkoj te zyra e Lulzim Bashës dhe i them vajza e kujt ishte Rezarta nga Gjirokastra dhe Luli me thotë urgjent na duhen njerëz të rinj të përgatitur, aq më shumë që është vajza e Dilaverit. Lulzim Basha, në atë kohë ministër i Infrastrukturës, kishte ardhur nga Kosova, e di më tha që janë nga jugu, familje socialistësh, por janë patriotë. Tani me PD në pushtet të shkretët u bënë dhe socialistë. 2 vjet më vonë i shkoj në dasmë motrës Rezit, në Pezë Helmes dhe takoj edhe nënën e Dritanit, e cila më thotë o Ilir më kanë ngelur dhe pak vite për pension dhe unë jam inxhiniere ushtarake kimike, kam dëgjuar se po kërkojnë prapë kimiste në ushtri, ti meqë je Këshilltar i Sigurisë Kombëtare, a mund t’i thuash Gjeneralit Lad Qiriazi. I them Gjeneralit dhe me kenaqësi e merr në punë, aq më shumë që e njihte zonjën. Tashmë me 2 veta në punë e pak të sistemuar familja ishte si më mirë. Jeta ishte modeste në periferi të Tiranës, por si çdo familje ish-ushtarakësh ia dilnin. Një vit më vonë Dritani mundohet të emigrojë në Holandë rreth 1 vit, 4 gjuhë të huaja dhe me eksperiencë ndoshta rregullohej.
Nuk zgjat shumë se nuk i prin fati, sepse Dilaveri, babai sëmuret dhe ka nevojë për 4 bypasse. Djali i vetëm kthehet te rrijë me familjen dhe prindërit. Ndërkohë unë me hallet dhe punët e mia kisha krijuar familje dhe shiheshim dhe shihemi shumë rrallë, por do t’i shkoja për ndihmë Dritanit dhe shkojmë ta vizitojmë në spital. Mbaj mend që kam shkuar më duket me Prefektin e sotëm ishprokurorin e atëhershëm mikun tim, Shkëlqim Hajdari. E shoh Dilaverin, ishte keq po do ia hidhte, kishin ardhur dhe disa njerëz nga Kosova ta vizitonin. Pimë një kafe me Dritanin, i cili më thotë s’kam ç’të bëj tani, s’shkoj dot më askund, duhet të rri se prindërit po bëhen të moshuar. U përpoqa t’i gjej një pune te Casa Italia si përgjegjës sigurie, ku vazhdoi ca kohë dhe pastaj u largua. Punoi ca kohë si shef sigurie tek Belle Air dhe pastaj Denion Ndrenika, gazetari orthodkos mik i Dritanit nga Kosova e merr të punojë te Siguria e Aviacionit Civil. Dritani me karakterin e vështirë që kishte se nuk i firmoste disa procedura aspak transparente, drejtorit të madh, partia këtë radhe LSI vendos ta largojë. Listat i kishte bërë Elona Guri, sekretare e rëndësishme në parti, pasi Drejtoria i përkiste LSI-së, kishin vendosur ta hiqnin. I shkoj Elona Gurit dhe i them njeriun me asket dhe më të pakorruptueshëm keni bërë ndërmend te hiqni, si s’ju vjen turp. Jo më thotë Elona më kanë thënë që janë familje socialistesh, t’ia gjejnë ata një vend pune. I thashë të kanë gënjyer, është thjesht një njeri fatveshtire, pilot i mirëshkolluar, patriot e hallexhi. Nejse, nuk ndryshoi. Pak më vonë menduan ekipi patronazhist ta nxirrte me LSI-në e ta hiqnin nga puna. Ndërkohë kishte njohur një pedagoge e ishte martuar. Më merr një ditë në tel e më thotë duhet të të qeras se u bëra baba me djalë, shkova e urova me kënaqësi. E pyes ç’u bë për punë, s’ka problem gruaja është pedagoge, vetë bëj ca përkthime, një shtëpi me qira e kemi marrë, s’kemi lekë të marrim dado, pak më ndihmon mami, merrem me rritjen e djalit. Mu bë qejfi sinqerisht.
E takoj kur arrestohet Hashimi me Rexhën, Jakupin e të tjerë ishte mërzitur shumë. Më tha turp, ç’është kjo punë e tjerë. Unë si oportunist i them po shih punët e tua, jo më thotë duhet t’i thuash Presidentit e të tjerëve të mbajnë qëndrime të forta. E shoh që kërkonte dokumentë, shkruante, jepte intervista kundër prokurorisë e Gjykatës dhe ditën kur dënohet Sali Mustafa, mik i Dritanit, i godet me emër dhe mbiemër disa nga dëshmitarët fals të gjykatës. E marr në tel dhe i them o Tan mos u merr me atë punë se gjykata speciale në Kosove e këtu po të marrin dhe po të këpusin ne burg. E ashtu ndodhi, një ditë të nxehtë vere para 3 vitesh, më merr miku im Prof. Ermir Gjinishi e më thotë e morën në burg komandantin, kë mor i them, Tanin? Shkoj takoj prindërit e moshuar, të mërzitur shumë, gruan me fëmijën e vogël, miq nga Kosova dhe Maqedonia që më merrnin në tel. Ç’të bëja, i shkoj Erion Veliajt në zyre, sepse nëna e tij ushtarake kishte punuar me babain e Dritanit në akademinë “Skënderbej”. Erioni merr në telefon Ulsiun, ministrin e Drejtësisë, s’kam ç’bëj thotë Ulsiu, Haga është sipër meje. Shkoj në gjyq, kishin ardhur 6 veta nga gjykata e Hagës dhe 1 nga ambasada amerikane për të ekstraduar në Hagë se kishte thënë emrat e dëshmitarëve, jo se s’i dija edhe unë, po thjesht s’ma mbante. Shyqyr që Gjykata e Apelit nuk e ekstradoi se do ishte akoma në burg. Në këto kohë e kam parë që më bënte “konkurrencë” neper studio televizive si analist ushtarak sepse e vërteta është që punon shumë dhe është goxha i përgatitur, herë ia fut kot e herë jo, por tek e fundit si të gjithë që dalim nëpër banaqet televizive dhe marrim dhe ndonjë honorar. E shoh para ca kohësh që ishte bërë hero Tik-Toku se ç’nuk i kish thënë Fredi Belerit, i kishte thënë ti je agjent i SHISH. Mbrëmë teksa kthehesha nga Kosova, më nis një mik në “Whats Up” kërkesat e protestës me zërin dhe figurën e Dritanit. Kur mbërrij në Tiranë, shoh kundërpërgjigjen e Taulantit, shokut tim të vjetër socialist, që e përshkruante si agjent të Iranit. Në fakt, me jetën e Dritanit kjo i mungonte, se agjent të Izraelit i kishin thënë një herë para 15 vitesh se shoqëronte një mikun tim ushtarak izraelit, Nir Shaul, i mungonte vetëm kjo e Iranit. Po mirë, e kuptueshme, në këtë tollovi që është krijuar. Gjithçka gjen vend e gjithçka mund të thuhet. Tani kam një pyetje retorike: kush nga ju po të kishte pasur një jetë si ajo e Dritanit, i shkolluar jashtë, me 4 gjuhë të huaja dhe me kaq shumë halle, a do ishte sot në protestë apo jo?! Sa për mua, unë ia njoh mirë mendjen, ai s’ka frikë asnjë lloj pushteti, asnjë lloj kërcënimi, banda e banditët jo e jo, të çdo lloji e me sa lekë të duan, s’ka miliarder ta kërcënojë se është lloji i robit që s’i do lekët dhe luksin, si asket që është, shkon rri i vetëm në mal. Kështu që duke i vënë një “akuzë” më shumë, nuk e dobësoni, vetëm e forconi. Me njerëz si Dritani merresh vesh me të mirë, se me të keq s’ia del dot kurrë, se nuk janë oportunistë intelektualë si unë.



