Një shpërthim i fuqishëm tronditi qytetin Makiivka që kontrollohet nga rusët

Në një shpërthim gjatë zjarrit të artilerisë në qytetin Makiivka në lindje të Ukrainës, 25 persona u plagosën, njoftuan autoritetet pushtuese ruse.

Udhëheqësi i rajonit të Donetskut, i emëruar nga Moska, Denis Pushilin, tha në kanalin e tij Telegram të mërkurën në mëngjes se ka të lënduar në qytetin e pushtuar nga forcat ruse.

“Shpërthimi u ndje nga shumica e banorëve të Makiivka dhe Donetsk”, tha ai.

Sipas Pushilin, ndërtesat e banimit, një spital, shkolla dhe një kopsht fëmijësh janë dëmtuar.

Në kanalin ukrainas StratCom, u publikua një video e realizuar me telefon të një shpërthimi të fuqishëm në qytet, ku pretendohet se ishte një sulm në një bazë ushtarake ruse.

Ukrainasit thanë se shpërthimi ishte aq i fortë sepse një depo karburanti ose municioni u godit gjatë granatimeve.

Sipas blogjeve ushtarake ruse, raketat e artilerisë HIMARS, të cilat Ukraina i mori nga SHBA, u përdorën për granatime.