Analizë – Një përallë e re për një realitet të vjetër

Nga Luan Rama

Edhe pse bashkëshkrimi i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” përpiqet të shitet si një vizion i ri strategjik për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, në realitet, ai është një “dokument” i mbushur me kontradikta, shmangie të çështjeve thelbësore dhe, mbi të gjitha, është një riformulim i rrezikshëm i vetë idesë së integrimit.

Në pamje të parë, ata, bashkautorët ndërtojnë një narrativë të njohur: zgjerimi i BE-së ka sjellë paqe, stabilitet dhe prosperitet, dhe vonesat aktuale rrezikojnë të minojnë besueshmërinë e projektit evropian.

Por, pas kësaj hyrjeje të kujdesshme, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç kalojnë në një propozim që e përmbys këtë logjikë nga brenda: një “integrim i përshpejtuar” në tregun e brendshëm dhe zonën Schengen, por pa të drejtë vetoje dhe pa përfaqësim të plotë.
Këtu fillon problemi i vërtetë.

INTEGRIM APO NËNRENDITJE?

Kur Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Serbisë bashkëshkruajnë për “integrim të përshpejtuar… pa të drejta vetoje”, ata në fakt propozojnë një model ku vendet e rajonit marrin detyrimet, por jo të drejtat. Pra, një Evropë ku disa janë anëtarë të plotë dhe të tjerët pjesëmarrës të kufizuar.

Pyetja është e thjeshtë: a është ky integrimi për të cilin është punuar për dekada?
A janë bërë reforma të thella, shpesh të dhimbshme, për të arritur në një status të dorës së dytë?

Bashkimi Evropian nuk është thjesht një treg. Ai është një bashkësi politike. E drejta e vetos dhe përfaqësimi institucional nuk janë luks, por thelb i barazisë mes shteteve.

Heqja dorë nga këto parime nuk është pragmatizëm; është pranim i një inferioriteti të institucionalizuar.

BASHKAUTORËSIA QË FLET MË SHUMË SE VETË TEKSTI !…

Bashkëshkruesit deklarojnë se “perspektiva e anëtarësimit mbetet motori më i fortë për… pajtim”. Ky formulim shmang me kujdes realitetin më të ndjeshëm të rajonit: raportin mes Serbisë dhe Kosovës.

Pajtimi nuk ndodh në vakum dhe as me fjali diplomatike. Ai kërkon njohje, përgjegjësi dhe zgjidhje konkrete. Duke e anashkaluar këtë çështje, artikulli e redukton pajtimin në një klishe politike, duke i dhënë një imazh artificial harmonisë rajonale që në fakt nuk ekziston.

Por ndoshta elementi më domethënës i gjithë artikullit të tyre nuk është përmbajtja, por vetë bashkautorësia.

Zgjedhja e Edi Ramës për të qenë bashkëshkrues me Aleksandër Viçiçin dhe jo me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, është një akt politik në vetvete. Dhe ky akt ngre një pyetje thelbësore: pse mungon Kosova në një vizion që pretendon të përfaqësojë të ardhmen e rajonit?

Kosova është një nga vendet më pro-evropiane në Ballkan dhe një nga më të interesuarat për një proces të besueshëm integrimi.
Për Shqipërinë, Kosova nuk është thjesht një vend fqinj, është një partner strategjik, historik dhe kombëtar. Çdo përpjekje për të artikuluar një vizion rajonal pa e vendosur Kosovën në qendër është, në rastin më të mirë, e paplotë; në rastin më të keq, e gabuar.

Ndërkohë, bashkëautorësia me një lider që ende nuk e njeh Kosovën krijon një simetri të rreme politike. Ajo e paraqet Serbinë si bashkëformuluese të së ardhmes evropiane të rajonit, pa u përballur me përgjegjësitë e saj aktuale.

Besueshmëria e procesit të integrimit nuk ndërtohet duke thjeshtuar dallimet, por duke i adresuar ato.

Prandaj mendoj se i gjithë bashkëshkrimi i dy bashkautorëve, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, është më shumë një përrallë politike sesa një plan real. Një përrallë ku integrimi mund të përshpejtohet duke ulur standardet, ku pajtimi mund të arrihet duke shmangur konfliktet reale dhe ku përfaqësimi mund të zëvendësohet me retorikë.

Por realiteti është më i ndërlikuar. Integrimi evropian nuk është një marrëveshje teknike që mund të riformulohet sipas nevojës politike të momentit. Ai është një proces që bazohet në parime: barazi, përfaqësim dhe standarde të përbashkëta. Ikja nga këto parime nuk e përshpejton integrimin, e deformon atë.

Dhe mbi të gjitha, për Shqipërinë, çdo vizion për të ardhmen e rajonit që nuk ecën në harmoni me Kosovën, nuk është vizion strategjik, është një gabim politik me pasoja afatgjata dhe në dëm të interesit kombëtar.