Një muaj paraburgim për Fatmir Shehollin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Spiunazhi.

Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.SH, ashtu që të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, mund ti shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë përkatësisht për vepër penale spiunazhi, ngase duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, e që fillimisht duhet specifikuar faktin se vepra penale e cila i ngarkohet të pandehurit F.SH. bënë pjesë në kuadër të kapitullit të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e cila vepër veçanërisht rrezikon institucionet dhe funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

“Gjykata po ashtu vlerësoj se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda. Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamajftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.