Një marinar i vdekur dhe 10 persona të infektuar, karantinohet anija greke

Një anije greke mallrash që po udhëtonte nga Egjipti është karantinuar në Kretë pasi një marinar u gjet i vdekur dhe dhjetë persona të tjerë rezultuan pozitivë për koronavirusin.

Siç raporton AFP, anija që mban emrin Heroic arriti në Kretën jugore nga Porti Said i Egjiptit të dielën.

“Një marinar u gjet i vdekur, në kabinën e tij afër kapitenit…dhe një nga mekanikët e prekur nga koronavirusi është shtruar në spital në Rodos,” tha një zyrtar i rojës bregdetare.

Nëntë persona të tjerë rezultuan pozitivë për koronavirusin. Ekuipazhi përbëhet nga 13 filipinas dhe tetë grekë. Greqia, shtëpia e rreth 11 milionë banorëve, ka regjistruar dhjetëra vdekje nga koronavirusi çdo ditë në javët e fundit dhe mbi 1,500 infeksione çdo 24 orë.