Një lagje sot në Fushë Kosovë (Foto)

Disa komuna të Kosovës janë përfshirë nga vërshimet pas reshjeve të shumta të shiut dhe borës që ranë gjatë natës së mbrëmshme, por edhe ditëve të kaluara.

Sasia e madhe e reshjeve ka bërë që disa rrugë në disa komuna të përfshihen nga uji, e në disa pjesë të tjera uji ka arritur të depërtojë edhe në disa shtëpi.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se situata nuk është e mirë.

Ai ka shtuar se kryetarët e komunave janë në terren për të mbikëqyrur situatën.

“Të gjithë kryetarët në zonat e prekura së bashku me shtabet komunale dhe me drejtoritë komunale janë duke punuar pa ndalur në mënyrë që situata të tejkalohet. Kryetarët e komunave janë në terren së bashku me qytetarët e komunave përkatëse. Situata po shihet që nuk është e mirë”, u shpreh Ibrahimi.

Deri më tani situatë më e rëndë nga vërshimet paraqitet në komunën e Rahovecit ku janë evakuuar disa familje, po ashtu edhe në Gjilan situata nuk është e mirë.

Reshjet probleme kanë shkaktuar edhe në komunat Fushë Kosovë, Drenas, Lipjan, Klinë etj.