Një i ri kosovar paguan për sigurimin e makinës deri 8000 franga më shumë se moshatari i tij zviceran

ARCHIV - 29.09.2023, Niedersachsen, Hannover: Neuwagen vom Elektrobus Volkswagen ID.Buzz stehen auf einem Hof am Werk von Volkswagen Nutzfahrzeuge. (zu dpa: «Studie: E-Autos drücken auf Gewinn der Autohersteller») Foto: Julian Stratenschulte/dpa +++ dpa-Bildfunk +++ (KEYSTONE/DPA/Julian Stratenschulte)

Dallimet në bazë të nacionalitetit, në pagesën vjetore të sigurimit për automjetin në Zvicër janë prej vitesh në fokus të shërbimeve krahasuese të çmimeve dhe portaleve që merren me këtë problematikë.

Në pothuaj të gjitha analizat e publikuara viteve të fundit, shtetasit e Kosovës, sidomos ata të moshës së re, rezultojnë si më të dëmtuarit në këtë kontekst, shkruan albinfo.ch. Pas tyre, zakonisht vijnë me radhë shtetasit e vendeve të tjera ballkanike, turqit etj.

Kështu ndodh edhe në analizën më të re, të publikuar nga portali krahasues Bonus.ch. “Në varësi të moshës, përkatësisë shtetërore dhe vendit të banimit, diferenca në çmim për një prim sigurimi makine mund të kalojë deri në 8,000 franga zvicerane në vit”. Ky është përfundimi i një analize të publikuar të enjten nga portali i përmendur.

Vetëm përkatësia kombëtare (shtetërore) përbën mbi 5,000 franga të diferencës midis primit më të lirë dhe atij më të shtrenjtë. Diferenca arrin në rreth 2,500 franga në varësi të moshës, dhe shtohen edhe 500 franga të tjera në varësi të vendit të banimit.

Konkretisht: një shofer i ri 18 vjeç paguan, mesatarisht, 155 për qind më shumë se një shofer më i vjetër 70 vjeç për të njëjtën mbulim dhe me të njëjtin sigurues. Për sigurimin gjithëpërfshirës (Vollkasko), ​​diferenca mund të jetë deri në 2,513 franga, shkruan sda. Për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta, diferenca është edhe më e theksuar.

Megjithatë, kombësia ka një ndikim edhe më të madh sesa mosha: Mesatarisht, një shofer 18-vjeçar me leje qëndrimi C dhe origjinë kosovare paguan 63 për qind më shumë se një shtetas zviceran i së njëjtës moshë, transmeton albinfo.ch.

Me sigurim gjithëpërfshirës nga i njëjti sigurues, kjo rezulton në një diferencë prej 5,000 frangash zvicerane. E kombinuar me diferencën e mundshme në varësi të vendit të banimit, kjo mund të çojë në kosto shtesë prej mbi 8,000 frangash zvicerane.

Për këtë shembull ekstrem, Bonus.ch krahason primin e një shoferi të ri me shtetësi kosovare që jeton në Lugano me primin e një mbajtësi zviceran 30 vjeçar të polisës, i cili banon në Köniz (Bernë), përcjell albinfo.ch. Diferenca me ofruesin që ofron kushtet më ekstreme, për një model automjeti “paksa sportiv”, arriti në 8,072 franga zvicerane.