Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar të enjten me burgim dhe gjobë një burrë, pasi ai e pranoi fajësinë për dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, si dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dy vjet më parë.
Lubisha Millkoviq u dënua me dy vjet burgim dhe 14.000 euro gjobë për sulm ndaj ushtarëve te KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në protestën e 29 majit 2023 në Komunën e Zveçanit.
Millkoviq e pranoi fajësinë në një marrëveshje me Prokurorinë Speciale, e cila akuzoi atë për veprat penale, sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.
Avokati mbrojtës i Milkoviqit, Millosh Deleviq, tha se marrëveshja për pranimin e fajësisë është arritur me vullnet të plotë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Millkoviq u arrestua më herët këtë vit dhe gjykata tha se ai do të mbahet në paraburgim derisa aktgjykimi ta ketë marrë formën e prerë.
Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë majin e atij viti.
Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.
Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.
Autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra të dyshuar për dhunën në Zveçan vitin e fundit.
Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë në lidhje me dhunën në Zveçan.
Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.
NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës./REL




