Nisma për një njësi zgjedhor ka ngecur në Kuvend

Është tërhequr plotësisht vëmendja nga dy nismat e partive më të vogla parlamentare për ndryshimin e Kodit zgjedhor të cilat tashmë janë në procedurë parlamentare. Ato ishin në rend dite në seancë plenare por nuk u shqyrtuan. Procedura ka ngecur në Komisionin amë për Sistem Politik ku, sipas Rregullores, duhet fillimisht të shqyrtohen rreth 6 mijë amendamentet e parashtruar nga BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja. Kreu i Komisionit Aleksandër Kiracovski sqaron se ka shanse seanca e Komisionit të caktohet për javën e ardhshme por nuk shpreson se do të ketë epilog para shpërndarjes së Kuvendit më 11 shkurt. Kjo edhe pritej, duke qenë se një numër kaq i madh i amendamenteve do të kërkonin deri në disa muaj kohë për shqyrtim.

Nismat e disa deputetëve të cilët propozojnë aplikimin e modelit me një njësi zgjedhore, lista të hapura të kandidave të këshilltarë komunash si dhe përfaqësim të barabartë gjinor në lista, morën vetëm mbështetjen e LSDM-së. Ato u kundërshtuan nga BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja të cilët e pranuan se dorëzimi i mijëra amendamenteve bëhet me qëllim të bllokimit të procedurës. Deputetët e nismës kishin vlerësuar se këto ndryshime janë të rëndësishme për përfaqësim të drejtë në Kuvend edhe të pakicave dhe partive më të vogla. Përveç që nuk e kanë mbështetur kurrë modelin me një njësi, BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja vlerësojnë se vetëm pak kohë para zgjedhjeve, nuk mund të realizohen ndryshime të këtilla thelbësore.

Gjithsesi, në takimin e fundit të liderëve, u vendos që tema e ndryshimit eventual të Kodit zgjedhor të hapet pas zgjedhjeve të 12 prillit./Alsat