Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka njoftuar se kanë nisur punimet për renovimin e hapësirave në SHFK “Abdyl Frashëri”, me qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafin para fillimit të vitit të ri shkollor.
Gjatë vizitës në shkollë, Beqiri bëri të ditur se projekti përfshin renovimin e klasave, korridoreve dhe tualeteve, duke theksuar se investimi në arsim është investim në të ardhmen.
“Sot isha në vizitë në SHFK ‘Abdyl Frashëri’ në Haraçinë, ku kanë filluar punimet për renovimin e klasave, korridoreve dhe tualeteve. Këto investime do të mundësojnë që nxënësit dhe stafi ta nisin vitin e ri shkollor në ambiente më të mira, më të sigurta dhe më dinjitoze”, deklaroi Beqiri.
Ai shprehu mirënjohje edhe për drejtorin e shkollës, Rahim Ismaili, për bashkëpunimin në realizimin e projektit.
“Falënderoj drejtorin e shkollës, z. Rahim Ismaili, për angazhimin dhe bashkëpunimin e tij në realizimin e këtij projekti”, tha ai.
Sipas Beqirit, arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të komunës, ndërsa investimet në infrastrukturën shkollore do të vazhdojnë.
“Arsimi mbetet ndër prioritetet tona, sepse besojmë se fëmijët e Haraçinës meritojnë kushte sa më cilësore për mësim dhe zhvillim. Premtimet po i kthejmë në vepra. Hap pas hapi, po ndërtojmë një Haraçinë më të zhvilluar, me investime konkrete që u shërbejnë qytetarëve dhe brezave që vijnë”, theksoi kryetari i Haraçinës.





