Nisin punimet në nënkalimet e lagjes “Dardania” në Tetovë! Banorët presin që punët mos të stërzgjaten gjatë gjithë verës

Në lagjen Dardania, nënkalimet duket se do të gjejnë zgjidhje përfundimtare, pasi Komuna e Tetovës ka filluar punimet për të evituar këtë problem shumëvjeçar. Sipas autoriteteve komunale, projekti ka një gjatësi prej 1 kilometri dhe thellësi prej 5 metrash, ku do të rregullohet plotësisht kanalizimi atmosferik për të garantuar që nënkalimet të jenë të kalueshme edhe gjatë reshjeve. Zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, thekson se në këtë pjesë të qytetit po vendoset edhe rrjeti i ri i ujësjellësit, si dhe po ndërtohet muri mbrojtës përgjatë lumit Shkumbin.

“Kemi filluar punimet për ndërtimin e kanalizimit atmosferik, një projekt në vlerë prej 19 milionë denarësh, me gjatësi prej 1 kilometri dhe thellësi 5 metra. Ky projekt do të eliminojë njëherë e përgjithmonë problemin e kamotshëm të kësaj lagjeje, siç ishin përmbytjet në nënkalime dhe grumbullimi i ujit. Kompania po punon me intensitet të lartë dhe presim që punimet të përfundojnë së shpejti. Vlen të theksohet se po instalohet edhe gypi i ri i ujësjellësit, investim ky që do të përmirësojë dukshëm furnizimin me ujë të pijshëm në këtë lagje”, tha Albi Qamili – zëvendëskryetar i komunës së Tetovës.

Megjithatë, banorët e kësaj lagjeje presin që ky projekt të përfundojë sa më parë. Sipas tyre, gjendja aktuale e nënkalimeve mbetet një pengesë e madhe që dëmton automjetet dhe kufizon lëvizjen e lirë.

“Më kanë premtuar se do të zgjidhet shpejt, mirëpo situata në terren nuk e tregon këtë. Kanë punuar vetëm në një pjesë. Pjesa tjetër ka pengesa të mëdha, edhe pse është rrugë shumë e frekuentuar. Duhet të angazhohen ta zgjidhin këtë problem e të mos mbeten punët hapur, që të mos na shkojë e gjithë vera kështu.”

“Punimet kanë filluar, por po thonë që tani i kanë ndaluar. Duhet të zgjidhet sa më shpejt sepse ne jetojmë këtu dhe kalojmë çdo ditë. Po na dëmtohen makinat e po bëhemi me baltë. Sa më shpejt të mbarojë, aq më mirë.”

Gjatë sezonit të dimrit dhe sa herë që ka reshje të shpeshta shiu, nënkalimi në lagjen Dardania bllokohej plotësisht, duke lënë shumë automjete të bllokuara dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.