Nisi rrethimi i deponisë “Drislla”, në të ardhmen pritet të shndërrohet në qendër moderne për riciklim

Nisën punët për rrethimin e deponisë Drislla.
Për ta parë këtë nga afër shkoi ministri i mjedisit Izet Mexhiti, i shoqëruar nga kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Shkupit Orce Gjeorgjievski dhe kandidati i VLEN-it për kryetar të Studeniçanit, Sedat Bislimi.

“Edhe këtu në vendngjarje nga sot fillojmë me zbatimin e projektit për rikonstruimin e rrethojës dhe themelit përmes deponisë Drislla. Me mjetet e ministrisë së mjedisit jetësor në vlerë prej 9 milionë denarësh do të ngritet rrethim prej 4800 metrash me lartësi 1.5 metër”, pohoi Izet Mexhiti, ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Ky aktivitet ka filluar sot me rrethimin e deponisë drislla dhe në të ardhmen në bashkëpunim me Qeverinë dhe me Qytetin e Shkupit dhe me z.Orce do të bëjmë edhe prioritete të tjera që ka të bëjë me drisllën”, pohoi Sedat Bislimi, kandidat i VLEN-it për kryetar komune në Studeniçan.

Gjeorgjievski premtoi se nëse e merr mandatin për të udhëhequr me kryeqytetin, në Drislla do të ndërtohet Qendër bashkëkohore për riciklimin e mbeturinave.

“Që më në fund, nga njëra anë, do të mbrojë shëndetin e bashkëqytetarëve tanë, punonjësit do të kenë kushte shumë më të përshtatshme se ato në të cilat punojnë sot, dhe nga ana tjetër, ne si kryeqytet do të përfitojmë”, u shpreh Orce Gjeorgjievski, kandidat i VMRO-së për kryetar në Qytetin e Shkupit.

I pyetur se kush do të udhëheqë me ndërmarrjen Drislla, Gjeorgjievski tha se janë partnerë koalicioni me VLEN-in dhe se janë të fokusuar në idetë e tyre, mirëpo shtoi se do të jenë partner edhe në Qytetin e Shkupit.