Protesta e Partisë Demokratike të Shqipërisë kundër Qeverisë Rama tashmë ka nisur.
Kryetari i kësaj partie, Sali Berisha, mbajti një fjalim para protestuesve, ku sipas Euronews Albania, tha se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij kanë vjedhur miliona euro si kurrë më parë në historinë e Shqipërisë.
“Vështirësitë janë të mëdha, por këtë mision e përmbushin studentët, që punojnë paradite në shkollë dhe pasdite nxjerrin disa të ardhura. Në darkë punojnë për të shkruar parullat e kësaj proteste”, ka thënë Berisha.
“Këtë mision e përmbushin të rinjtë, demokratë, por edhe socialistë të penduar, të cilët nga koha e tyre, dalin shtëpi më shtëpi për të shpërndarë thirrjet dhe fletëpalosjet e këtij revolucioni”.
“Këtë mision e përmbushin nëna dhe baballarë, gjyshër dhe gjyshe, që kanë përcjellë me lot fëmijët e tyre jashtë, por janë sot këtu me ne, deri në fund, në emër të tyre, në emër të Shqipërisë”.
Berisha e quajti nismën e tij revolucion që përmbys monizmin e bazuar në krim, drogë, vjedhje dhe plaçkitje të shqiptarëve.
“Cili është qëllimi i këtij revolucioni? Është përmbysja e monizmit të bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve”.
“Kurrë në histori, një njeri nuk ka vjedhë këtë komb siç e ka vjedhur Edi Rama me organizatën e tij kriminale”.
“Në një kohë që ju përcillni fëmijët jashtë për kafshatën e gojës, kryeministri shpirtlig, vendos prapa kësaj ndërtese, vazon 4 milionë euro, e mjaftueshme për të blerë ilaçet një muaj të gjithë pensionistët shqiptarë”.
“Në një kohë kur ju, gëzimet familjare, dasmat, ditëlindjet, festat e tjera, mezi i gëzoni se nuk keni para, ky krim-ministër shëtit me avionin e tij në dispozicion me dhomë gjumi, dreko dhe darkon me 10 mijë euro, shpenzon 22 milionë euro me fluturime”, tha Berisha”.




