Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama inauguroi sot fillimin e punimeve për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ndërtimi i të cilit do të zgjasë deri në vitin 2024, ndërsa fluturimet do të nisin në vitin 2025.
“Vlora ka historinë e saj sa i përket transportit ajror. Këtu është krijuar shkolla e parë e aviacionit dhe këtu ku ndodhemi është ndërtuar dhe aerodromi që në vitin 1920, i cili përdorej për arsye ushtarake. Mbi këtë gjurmë të aerodromit të vjetër, ne sot fillojmë një histori të re, së bashku me një mik të mirë, një ndër më të shquarit e sipërmarrjes shqiptare, një personalitet që me veprat e tij e ka çuar emërin në shumë vende të botës dhe çmohet prej shumë popujve e prej shumë njerëzve për veprat që ka bërë. Një njeri që kam nderin ka konsideroj dhe mikun tim, bacën Begjet, që e falënderoj shumë për përfshirjen në këtë aventurë të përbashkët sepse për hir të së vërtetës në të gjitha punët që kemi bërë, kjo për të ardhur në këtë punë, qëlloi më e vështira. Nuk ishte aspak e thënë që ky proces të shkonte fjollë siç do ta kishim dëshiruar, u nis dhe u pengua disa herë për arsye objektive që nuk kishin lidhje me ne, sepse veprat publike i kanë dhe këto të papritura dhe për dreq na u fut në mes dhe pandemia, e cila më shumë se çdo sektor tjetër, goditi sektorin e aviacionit. Ne nuk reshtëm së bëri përpjekjet deri sa gjërat erdhën aty ku duhet dhe u bë e mundur forca e duhur për ta çuar përpara këtë projekt të madh. Gjithë ajo vonesë, gjithë ai stres për të cilin vlonjatët kontribuuan me gjithë ato përqeshjet e tyre karakteristike dhe romuzet e tyre tradicionale u kthye në mirësi sepse sot jemi këtu dhe me një aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit, që është aleanca me aeroportin e Mynihut, një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Përfaqësuesit janë këtu me ne, kanë nisur ta shoqërojnë projektin e zbatimit që në hapat e parë dhe të gatshëm për të marrë operimin e aeroportit të Vlorës”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Aeroporti i Vlorës është parashikuar të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh, ndërsa punimet do të kryhen nga një konsorcium kompanish të kryesuara nga sipërmarrësi i njohur nga Kosova, Behgjet Pacolli.
Pacolli tha se Aeroporti i Vlorës do të jetë më i bukuri dhe më funksionali në trojet shqiptare.
“Jam shumë i lumtur që jam aktori kryesor i kësaj vepre, jam i lumtur që kjo ndodh në vendin tim dhe qytetin që e kam shumë përzemër. Në 20 vitet e fundit nuk kam munguar asnjë 28 nëntor në Vlorë. Jam para kryeministrit që preferoj, me energji për të ndërruar Shqipërinë. Ja keni dalë kësaj pune. Na qoftë i mbarë fillimi i kësaj vepre madhështore. Ju garantoj se në eventin tjetër do avancojmë shumë me punë dhe do vijë dita që sipas kontratës do ta hapim këtë aeroport. Do të jetë aeroporti më i bukur dhe funksional i këtyre trojeve.”, tha Pacolli
Nga ana tjetër, ministrja e Infrastrukturës e Shqipërisë, Belinda Balluku, bëri të ditur se aeroporti do të jetë gati për fluturime në vitin 2025 dhe do të hapë rreth 1 mijë vende pune.