Nis faza e dytë e lehtësimit të masave në Greqi

Me hapjen e dyqaneve për shitje me pakicë, me përjashtim të qendrave tregtare, me kthimin e maturantëve në bankat shkollore, hapjen e auto-shkollave si dhe me kthimin e 70 për qind të zyrtarëve shtetërorë në punë, sot në Greqi fillon faza e dytë e planit për lehtësimin e masave kufizuese.

Javën e kaluar dhe gjatë fundjavës, pronarët e dyqaneve dhe punonjësit, u përgatitën për ditën e sotme, respektivisht nisjen e punës nën masa dhe rregullore të reja, pas një ndërprerje dymujore.

Me punë fillojnë 155.962 të punësuar, nga gjithsej 690,218 që ishin në pushim të detyruar për shkak të masave kufizuese, ndërsa do të hapen 66.010 biznese, gjegjësisht 25 për qind e numrit të përgjithshëm.

Pronarët e dyqaneve të veshjeve do të jenë veçanërisht të kujdesshëm, të cilët sqarojnë se pas provës së secilit klient, veshjen do ta dezinfektojnë me një pajisje me avull.

Të hënën e kaluar, në fazën e parë të lehtësimit të masave, filluan të funksionojnë libraritë, optikat, dyqanet e pajisjeve sportive, sallonet e parukerisë, qendrat e inspektimit teknik.

Në Greqi sot gjithashtu fillojnë me mësim maturantët, ndërsa më 18 maj, në bankat shkollore do të kthehen të gjithë nxënësit e shkollave të mesme.

Për shkollat fillore dhe kopshtet për fëmijë nga mosha katër deri në gjashtë vjeç, shtesë do të shqyrtohet mundësia për hapje në 1 qershor, nëse këtë e lejon rrjedha e epidemisë.

Në Greqi, që nga fillimi i epidemisë përfshirë ditën djeshme, janë regjistruar gjithsej 2.716 raste pozitive të Kovid-19, ndërsa 151 njerëz kanë vdekur./MIA