Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski sot vlerësoi se politikat e Qeverisë për tërheqjen e kompanive ajrore në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit po japin rezultate dhe se prej nesër do të fillojnë 11 destinacione të reja.
“Me orarin dimëror të fluturimeve, duke filluar që nesër, më 27 tetor, nga Ohri do të fluturohet për në Bazel – një destinacion jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi Ohrin po e hapim jo vetëm për turistët nga Zvicra, por edhe për turistët nga Franca dhe Gjermania, sepse ky është i ashtuquajturi aeroport evropian që lidh këto tre vende. Nga Shkupi, do të fluturohet për në Stokholm në aeroportin kryesor, do të fluturohet për në Shtutgart, Bari, Larnaka-Qipro dhe e gjithë kjo fillon nesër më 27 tetor”, tha Nikolloski.
Duke filluar nga e hëna e ardhshme, më 3 nëntor, shton Nikolloski, do të fluturohet për në Gjenevë, një destinacion jashtëzakonisht i rëndësishëm që, përveç turistëve, do të sjellë edhe shumë biznesmenë në Shkup, pastaj në Madrid dhe nga 15 dhjetori në Pragë dhe Këln.
“Nëse kësaj i shtojmë se nga prilli do të fillojnë fluturime për në Budapest dhe Napoli, kjo është fotografia e plotë që e bën Qeveria për të tërhequr linja ajrore të reja, të cilat subvencionohen për ata që vijnë në Ohër dhe Shkup, sepse subvencionet janë të destinuara për udhëtarët që vijnë. Një revolucion i tillë në trafikun ajror nuk është parë me dekada dhe për këtë arsye kjo është nxitja më e mirë për të punuar në periudhën e ardhshme. Rritet numri i udhëtarëve në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit, po rritet numri i turistëve në Maqedoni dhe kështu do të vazhdojmë ta zhvillojmë Maqedoninë. Le të jetë me të lehtë, mirë se vinë të gjithë ata që do të zbarkojnë në Ohër dhe Shkup dhe do të kenë një udhëtim të këndshëm”, thotë Nikolloski.
Në sezonin e dimrit nga sot deri më 28 mars të vitit të ardhshëm, do të jenë të disponueshme fluturime nga Shkupi për në Vjenë, Beograd, Athinë, Zagreb, Varshavë, Frankfurt, Sandefjord, Geteborg, Malme, Ajndhoven, Bruksel, Paris, Dortmund, Fridrihshaven, Memingen, Frankfurt Han, Bazel, Nuremberg, Berlin, Milano, Hamburg, Venecie, Bratisllavë, Romë, Baden-Baden, Maltë, Bolonjë, Lubjanë, Londër, Stokholm, Pragë, Stutgart, Larnaka, Këln, Lion, Bari, Madrid, Gjenevë, Stamboll, Izmir, Antalia, Cyrih. Destinacionet nga Ohri janë: Cyrih, Bazel, Dortmund, Vjenë, Memingen.
Dy aeroportet, Shkupi dhe Ohri, në dhjetë muajt e parë të vitit shërbyen 2.585.096 udhëtarë, që është një rritje prej gjashtë për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit transportoi 2.375.264 udhëtarë, që është 5,4 për qind më shumë se vitin e kaluar, ndërsa Aeroporti i Ohrit “Shën Apostull Pali” shënoi rritje dyshifrore prej 16,2 për qind me 209.832 udhëtarë të transportuar. Në të njëjtën periudhë, pati rritje të numrit të fluturimeve – me tre për qind krahasuar me vitin e kaluar, përkatësisht 20.141 fluturime u kryen në të dy aeroporteta.






