Nikolloski: Nuk ka marrëveshje me “Ryanair”, kërkojnë çmim të lartë subvencionimi

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski ka dhënë detaje nga bisedimet me kompaninë ajrore me buxhet të ulët “Ryanair”, për futje në tregun e Maqedonisë së Veriut.

Nikolloski tha se kërkesat e kompanisë nuk përshtaten me tregun tonë, respektivisht se kompania ka kërkesa të pamundura.

“Do të jem i drejtpërdrejtë. Nuk mendoj se është mirë pr tregun e Maqedonisë, sepse kushtet që po i vendosin janë të pamundura. Ne për momentin japim subvencione 9 euro për Aeroportin e Shkupit, 12 euro për Aeroportin e Ohrit, që janë nga subvencionet më të larta që mund t’i gjeni në rajon, dhe jorastësisht 28 linja të reja ajrore janë hapur për më pak se 2 vjet nga zgjedhja e kësaj qeverie. Kërkesat e Ryanair janë 25 euro subvencion për karrige, që është më shumë se 2,5 herë për Aeroportin e Shkupit. Kërkesa është që me prioritet të shërbehen avionët e tyre. Kërkesa është që mos të shfrytëzohen asnjë nga shërbimet e Aeroportit të Shkupit dhe Ohrit, kanë edhe shkallë të tyre në avion. Dhe kërkesa është që të anulohen disa linja”, tha mes tjerash Nikolloski.