Fuqimisht jemi të përkushtuar në ndërtimin dhe modernizimin e Korridorit 8, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit transevropian me rëndësi strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike për të gjithë Ballkanin dhe të gjithë Evropën, porositi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski, pasi me homologun e tij bullgar Grozdan Karaxhov e nënshkruan Marrëveshjen për tunelin hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8, në stacionin hekurudhor të Gjueshevës, njoftoi raportuesi i MIA-s.
“Marrëveshja është ëndërr e gjeneratave në të dyja anët e kufirit, diçka për të cilën kemi lexuar, diçka që na është mësuar kur ishim fëmijë se të dy shtetet, dy kryeqytetet, Sofja dhe Shkupi, duhet të lidhen me një lidhje hekurudhore”, tha zëvendëskryeministri Nikolloski, duke theksuar punën e palodhur dhe përkushtimin për realizimin e projektit.
Sipas Karaxhovit, kjo ditë është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse, theksoi, po përmbushim një ëndërr të shumë gjeneratave.
“Po hapim, po rinovojmë një hekurudhë që është më shumë se 100 vjeçare. Patëm nderin me Nikollovskin ta realizonim këtë projekt”, tha Karaxhovi, i cili mbërriti në këtë ngjarje me tren nga Qustendilli.
Valentina Superti, drejtoreshë e Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor të KE-së porositi se marrëveshja është shumë e rëndësishme për të dy shtetet, por edhe për të gjithë rajonin.
“BE-ja mbështet bashkëpunimin midis dy vendeve dhe siguron fonde për implementimin e projektit. Ndërtimi i tunelit do të sjellë përfitime sociale dhe ekonomike për rajonin”, tha Superti.
Marrëveshja për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e tunelit – një pikë ndërkufitare e dy shteteve në Korridorin 8 për lidhjen direkte hekurudhore Shkup dhe Sofje, u nënshkrua në prani të përfaqësuesve të Komisionit Evropian, NATO-s, SHBA-së, Bankës Evropiane Investuese, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Botërore. Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadorja e SHBA-së Angela Ageler. Gjatësia e projektuar e tunelit është rreth 2.4 kilometra, 1.189,30 metra në territorin e Maqedonisë dhe 1.193,70 metra në territorin e Bullgarisë.
Korridori 8 si linjë transporti që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, u theksua në ceremominë, për shtetin do të thotë një lidhje e drejtpërdrejtë dhe qasje në dy dete, gjë që është e rëndësishme për një konkurrueshmëri më të madhe të ekonomisë.
Me ndërtimin e hekurudhës, e cila filloi në vitin 1994 dhe konsiderohet një projekt me interes kombëtar për shtetin, duhet të krijohen kushte për transport më të shpejtë dhe më të lirë të mallrave dhe pasagjerëve, për të inkurajuar zhvillimin e tregtisë, turizmit dhe investimeve në rajon. Gjithashtu theksohet si i rëndësishëm sepse Korridori 8 është një korridor strategjik i NATO-s.
Vlerësimet e instituteve janë se ndërtimi i tij do të rrisë transportin e mallrave me mbi 30 për qind, mdërsa komunikacionin e pasagjerëve për 20-25 për qind në vitet e para pas ndërtimit.
Nga tre seksionet e planifikuara, ka përfunduar ndërtimi dhe rindërtimi i seksionit të parë Kumanovë – Bellakovcë, me një gjatësi 30.8 kilometra (40.5 milionë euro). Në vijim është ndërtimi i një seksioni të ri dhe rindërtimi i segmentit ekzistues Bellakovcë – Kriva Pallankë, me një gjatësi 34 kilometra dhe vlerë mbi 155 milionë euro, ku progresi i punimeve është 35 për qind, ndërsa afati i përfundimit është fundi i vitit 2026. Për seksionin e tretë nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Republikën e Bullgarisë, i cili do të përfshijë edhe zgjidhjen e tunelit, sipas paralajmërimeve, muajin e ardhshëm do të shpallet një thirrje për përzgjedhjen e një kontraktori. Ndërtimi i seksionit të tretë nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, me një gjatësi 23.4 kilometra me 22 tunele të planifikuara, përfshirë atë ndërkufitar, si dhe 52 ura, konsiderohet sfida më e madhe.






